Nagavci: S’ka arsye për greva, gabimet në tekste do të ndryshohen me Projektligjin e ri

Prishtinë | 09 Jan 2022 | 09:00 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Paralajmërimet e SBAShK-ut për protesta dhe greva për shkak të mosmiratimit të Ligjit të Pagave, po shihen si të pamundura nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Ministrja Nagavci për Ekonomia Online, ka thënë se kjo sindikatë nuk ka arsye për të protestuar, pasi sipas saj, institucionet kompetente janë duke punuar në hartimin e Ligjit të Ri të pagave, për çka thotë është e njoftuar edhe SBAShK-u.

“Unë nuk besoj se do të ketë arsye për të pasur greva, në këto dy, tre vitet e fundit edhe për shkak të pandemisë ka qenë situata me të cilat mësimdhënësit janë ballafaquarit me sfida nga më të ndryshmit. Edhe unë si ministre jemi në të njëjtën linjë, dhe me mësimdhënësit duhet të punojmë të gjithë bashkë që t’i përmirësojmë rezultatet në arsim”.

“Nuk ka arsye për greva, një nga çështjet që është adresuar kohëve të fundit nga Sindikatat ka pasur të bëjë me Ligjin për Paga, janë njoftuar edhe sindikatat se po punohet në Ligj të ri, për shkak se Ligji aktual u shpall anti-Kushtetues, pra është një punë që zyrtarët kompetentë nga Ministria e Punëve të Brendshme, dhe natyrisht se jemi në konsulta me të gjithë. Synimi jonë është që të kemi një pagë të njëjtë për punë të njëjtë dhe t’i largojmë ato pabarazitë që ndodhën si defekte në ligjin e kaluar, ku u lënë në një situatë të pavolitshme kategoritë e caktuara”, u shpreh ajo.

Nagavci ka folur edhe për tekstet shkollore të cilat shpesh herë janë kritikuar për shkak të përmbajtjes mizogjenike, me gjuhë të urrejtjes ose me gabime drejtshkrimore.

E për këtë, Nagavci ka thënë se shumë shpejtë do ta procedojnë për në Qeveri Projektligjin për tekste të reja shkollore.

Për këtë çështje, e para e Arsimit ka thënë se do të ketë diskutime me ekspertët e arsimit dhe organizatat që i kanë monitoruar tekstet në periudha të ndryshme.

“Në raport me tekstet shkollore ka pasur adresime, kritika e vërejtje të shumta, shpesh herë edhe në aspekt përmbajtjesor dhe në aspekt të drejtshkrimit e paragjykimeve e kështu më radhë. Ne jemi duke punuar në projektligjin e ri për tekste mësimore, në fillim të vitit të ardhshëm do ta procedojmë në Qeveri Projektligjin për tekste mësimore, përtej kësaj kemi hapur një cikël diskutimesh në lidhje me tekstet aktuale, sepse dëshirojmë që të jenë të përfshirë mësimdhënësit, prindërit dhe ekspertët e arsimit e organizata që kanë monitoruar tekstet në periudha të ndryshme”.

“Përpos diskutimeve me mësimdhënës e organizatave që e kanë monitoruar këto tekste, do të kemi edhe diskutime edhe me tekstshkrues dhe me recensent, sepse nga puna ime që kam parë gjatë këtij viti ka pas rekomandime e sugjerime e kritika në adresë të tekstshkruesit por edhe të procesit në përgjithësi. Pra janë disa veprime që jemi duke i ndërmarrë paralelisht. Njërën anë po punojmë në Projektligjin për tekste të reja shkollore, në anën tjetër është ky cikël i diskutimeve”, ka thënë Nagavci.
Ndërsa vlerësimin e performancës për mësimdhënës, Nagavci e sheh si një proces që duhet të ndodh, ndonëse është kundërshtuar nga sindikata e arsimit.

Nagavci për EO ka thënë se vlerësimi do të bëhet nga drejtoria e shkollave, teksa shton se ky proces do të përcaktohet me udhëzimin administrativ.
“Në fakt këto kanë qenë diskutime që kohëve të fundit janë hapur artificialisht. Vlerësimi i performancës së mësimdhënësve natyrisht se duhet të ndodh dhe është një proces, ajo si parashihet aktualisht është që përcaktohet me udhëzimin administrativ ekzistues se vlerësimi bëhet nga drejtori ose drejtoresha e shkollës dhe nga inspektorët e arsimit”.

“Ky proces i tillë ndonëse ne e kemi punuar në këtë drejtim edhe kemi një numër të mësimdhënësve të cilët janë vlerësuar, duhet të rishikohet si proces i tillë dhe natyrisht se standardet që vendosen duhet të jenë jo vetëm të qarta por edhe të kuptuara e të njohura nga mësimdhënësit”, u shpreh ajo.

Të ngjashme