Deputetja nga radhët e lëvizjes Vetëvendosje, Albërie Nagavci tha sot provimi i maturës edhe këtë vit po përcillet me probleme të njëjta.
Nagavci në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se një njërën anë po vazhdon praktika e kopjimit dhe shpërndarjes së testeve në rrjetet sociale, ndërsa në anën tjetër ministri i Arsimit, jep deklarata se gjithçka po shkon mirë.
Lexoni të plotë postimin e Nagavcit në Facebook:
“Provimi i maturës edhe këtë vit po përcillet me probleme të njëjta.
Nga njëra anë vazhdon praktika e kopjimit dhe shpërndarjes së testeve në rrjetet sociale që nga ora e parë e Provimit të Maturës.
Nga ana tjetër edhe ky ministër, si ata paraprak vazhdon deklaratat se gjithçka po shkon mirë.
Në lidhje me këtë çështje, në fillim të këtij muaji, ministri kishte marrë një vendim i cili dihej që atëherë se ishte i destinuar të dështojë, Vendimin për ndalim të kopjimit, i cili madje në rrethanat tona është qesharak dhe tregon edhe dyfytyrësi pasi që tashmë është e qartë që s’ka as angazhim e as vullnet për ndalimin e kopjimit.
Sa më parë nevojitet një kompromis dhe angazhim serioz i të gjithëve që arsimi të jetë vërtet prioritet. Vendimet dhe masat duhet të jenë profesionale, pa marrë parasysh koston partiake.
Por, tashmë është e qartë që as ky ministër e as kjo qeveri nuk mund të përmirësoj sistemin e arsimit, ata nuk kanë as vullnetin e as kompetencat për të bërë këtë hap kaq të rëndësishëm për të rinjtë tanë dhe për vendin”.