Futbollisti portugez, Nani, beson se bashkëkombësi i tij në Juventus, Cristiano Ronaldo, e ka dëshmuar se është ende futbollisti më i mirë në botë, me paraqitjet e tij qysh në sezonin e tij të parë në Serie A.
Cristiano Ronaldo i ndihmoi Juventusit ta fitojë titullin e Serisë A qysh në sezonin e tij të parë në Itali, ku i shënoi 28 gola në 43 paraqitjet e tij në të gjitha garat gjatë sezonit 2018/19.
Megjithatë, ky është rekordi më i keq për pesë-herë fituesin e Topit të Artë që nga sezoni 2008/09, ku i shënoi 26 gola në të gjithë sezonin për Manchester Unitedin.
Megjithatë, Nani, i cili tani po luan për skuadrën amerikane Orlando City, nuk ka asnjë dyshim se Ronaldo është ende futbollisti më i mirë në botë.
“Ai e pati një sezon të suksesshëm. Mendoj se ka bërë punë të mrekullueshme. Nuk është e lehtë të luash në Itali sepse futbolli atje është shumë taktik, mbrojtësit aty mbrojnë shumë”, ka thënë Nani për Omnisport.
“Ai i ka shënuar shumë gola, vazhdon të jetë futbollisti më i mirë në botë. Mendoj se ka bërë punë të mrekullueshme”.
Përderisa Juventusi arriti ta fitojë titullin e Serisë A për të tetën herë radhazi, ata dështuan në tentimin për ta triumfuar në Ligën e Kampionëve për herë të parë që nga vitit 1996, pasi u mposht nga Ajaxi në çerekfinale.