Nasim Haradinaj nga Haga: Liria e ka emrin UÇK, gra të dhunuara, fëmijë të vrarë, masakra e gjenocid

Prishtinë | 20 Nën 2020 | 17:21 | Nga Ekonomia Online

Organizatorët e fushatës “Liria ka emër”, të cilët në anën ballore të një hoteli në sheshin e Prishtinës e kishin vendosur një ekran gjigant me Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin. Por, të parët që u arrestuan nga Specialja, Salih Mustafa, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj nuk u vendosën në këtë billbord, e për këtë reaguan shumë anëtarë të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Rreth kësaj çështjeje, anipse nodhet në qendrën e paraburgim në Hagë, është përgjigjur edhe vetë Haradinaj.

“Liria ka emrin gra të dhunume, fëmijë të vrarë, masakra, gjenocit dhe UÇK”, ka thënë Haradinaj .

Këtë deklaratë Haradinaj ia ka përcjellur Gazetës Express përmes gruas së tij në një bisedë që ka pasur këtë të enjte.

I pari që reagoi ndaj këtij veprimi ishte anëtari i OVL të UÇK-së, Faton Klinaku, i cili përmes një postimi në Facebook tha se Liria ka emër, por jo emra të përveçëm.

“Kjo fushatë, do të duhej që të fillonte me të akuzuarin e parë komandantin Salih Mustafa – Cali, i cili nuk e ka votuar këtë gjykatë, por gjatë fjalimit të tij kërkoj që t’i zgjerohen kompetencat me qëllim që të ndjek krimet, masakrat dhe gjenocidin e shkaktuar në Kosovë nga serbët dhe Serbia pushtuese.

Fushata duhej të vazhdonte me kryetarin e OVL UÇK-së, Hysni Gucati dhe me nënkryetarin e OVL UÇK-së, Nasim Haradinaj, të cilët nuk janë atje në burg për qëllime të tyre personale, por për të përgjithshmen, për shokët, për UÇK-në, për popullin dhe për Kosovën, sepse ata poashtu nuk e kanë votuar dhe nuk e kanë njohur këtë Gjykatë, por edhe kanë kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që ta zhbëjë ose ta ndryshoj këtë Gjykatë njëetnike, e cila mund të jetë gjithçka tjetër, por veç krim nuk gjykon”, kishte shkruar Klinaku.

E në fund, sipas tij fushata “Liria ka emër” mund të vazhdonte me Jakup Krasniqin, Hashim Thaçin, Rexhep Selimin e Kadri Veselin.

Kur u arrestuan Nasim Haradinaj e Hysni Gucati?

Nasim Haradinaj e Hysni Gucati janë arrestuar nga EULEX-i me datën 25 shtator, ku atë ditë u krye një bastije në zyrat e veteranëve në Prishtinë. Po atë ditë, Gucati e Haradinaj u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Ndaj tyre është lëshuar fletarrestim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, të parapara në Kodin Penal të Kosovës.

Ende asnjë aktakuzë ndaj tyre

Ndërsa, kanë kaluar rreth dy muaj prej kur është mbajtur seanca e parë dëgjimore e kryetarit të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinajt, ende nuk është bërë e ditur se kur do të mbahet seanca tjetër, anipse Prokuroria Speciale kishte paralajmëruar se brenda 30 ditësh do ta dorëzojnë aktakuzën në Gjykatën Speciale.

Të ngjashme