NATO ia kujton Kosovës dhe Serbisë obligimet nga Marrëveshja e Kumanovës, përfshirë çështjen e FSK-së në veri

Prishtinë | 18 Qer 2023 | 10:35 | Nga Ekonomia Online

Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, ka thënë se aleanca veri-atlantike i merr shumë seriozisht ngjarjet në veri të Kosovës.

Sipas saj, KFOR-i po merr të gjitha masat e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, “siç autorizohet me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.

Në në një postim në Twitter, ajo tha se angazhimi i KFOR-it për ta zbatuar mandatin e tij është i palëkundur, “siç tregohet nga vendosja e fundit shtesë prej 500 trupash”.

Gjithashtu, NATO-ja u ka rikujtuar edhe njëherë palëve “obligimet e tyre ndaj KFOR-it sipas Marrëveshjes Teknike Ushtarake”, e njohur ndryshe si Marrëveshja e Kumanovës .

E njëjta marrëveshje dha fund dhunës serbe në Kosovë si një parakusht për ndaljen e bombardimeve të NATO-s mbi caqet strategjike serbe.

Me këtë marrëveshje – të nënshkruar më 9 qershor 1999 – Serbia detyrohej të tërheqë të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova.

E po kjo marrëveshje, sipas zyrtares së NATO-s, përfshin respektimin e vijës kufitare administrative, procedurat për Policinë e Kosovës dhe Marrëveshja e vitit 2013 për dislokimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në veri.

“Këto detyrime janë krijuar për të siguruar veprim të koordinuar, për të shmangur përshkallëzimin + ruajtjen e mjedisit të sigurt/të sigurt”, shtoi Lungescu.

Reagimi i saj vjen pasi tre zyrtarë policorë janë rrëmbyer nga autoritet serbe të mërkurën që lamë pas.

Serbia ka thënë se tre policët e Kosovës janë arrestuar “thellë brenda territorit” të saj, por Kosova e ka quajtur rrëmbim këtë veprim nga forcat serbe dhe ka thënë se ata ishin në territorin e Kosovës.

Kurse, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë më 16 qershor se mbetet e paqartë se ku pjesëtarët e Policisë së Kosovës ishin në kohën e arrestimit.

Ky mision tha se ka inspektuar lokacionin ku ka ndodhur ngjarja dhe ka biseduar me përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe me autoritetet në Serbi.

Autoritetet në Kosovë kanë deklaruar më 16 qershor se ndaj tre policëve një gjykatë në Kralevë të Serbisë ka shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Të shtunën, Departamenti amerikan i Shtetit i ka bërë thirrje presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Qeverisë serbe që t’i lirojë “menjëherë dhe pa kushte” tre policët e Kosovës, të arrestuar më 14 qershor.

“Arrestimi i tyre dhe mbajtja në paraburgim nën akuza të pabaza kanë përkeqësuar situatën tashmë të tensionuar”, tha zëdhënësi i DASH-it, Matthew Miller, në një deklarate për media.

Të ngjashme