Situata në Ukrainë mbetet kritike, teksa po bëhen 4 vite që kur Rusia vendosi të niste një luftë në shkallë të gjerë. Në orët e fundit, Moska ka kryer një tjetër sulm të rëndë ndaj infrastrukturës energjetike në të gjithë vendin.
Sipas presidentit Volodymyr Zelensky, Rusia ka përdorur rreth 400 dronë dhe 40 raketa kundër objektivave ukrainase. Dëme janë raportuar në disa rajone, përfshirë Lviv, Kiev dhe Kharkiv. Në disa zona janë goditur ndërtesa banimi dhe objekte administrative, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë punën aty ku lejon situata e sigurisë, raporton A2 CNN.
Zelensky ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara synojnë përfundimin e luftës deri në muajin qershor. Ai ka bërë të ditur se javën e ardhshme delegacionet e Ukrainës dhe Rusisë pritet të zhvillojnë një raund të ri bisedimesh në Shtetet e Bashkuara. Takimi mund të mbahet në Miami, pas negociatave të dështuara të ndërmjetësuara nga SHBA në Abu Dhabi.
Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se po zhvillohen “bisedime shumë të mira” në lidhje me luftën e Rusisë në Ukrainë dhe shtoi, pa dhënë hollësi, se “diçka mund të ndodhë” si rezultat i negociatave. “Bisedime shumë të mira, që kanë të bëjnë me Rusinë dhe Ukrainën. Diçka mund të jetë duke ndodhur”, u tha Trump gazetarëve në Air Force One, shkruan A2 CNN.
Ndërkohë, Polonia ka mbyllur përkohësisht dy aeroporte pranë kufirit me Ukrainën për arsye sigurie. Autoritetet polake kanë intensifikuar mbikëqyrjen ajrore me avionë të NATO-s për shkak të aktivitetit të aviacionit rus. Nga ana tjetër, Rusia njofton se ka rrëzuar dhjetëra dronë ukrainas mbi territorin e saj.