NATO nis stërvitjet ushtarake, Rusia në mendjen e secilit

Prishtinë | 25 Tet 2018 | 13:36 | Nga Ekonomia Online

Norvegjia do të jetë nikoqire e stërvitjeve më të mëdha të kryera të enjten nga NATO-ja prej përfundimit të Luftës së Ftohtë, duke i rikujtuar Rusisë që aleanca mbetet e bashkuar pavarësisht dyshimeve që ka shpërfaqur në këtë aspekt presidenti amerikan, Donald Trump.

Më shumë se 50,000 ushtarë, 10,000 automjete, 65 anije dhe 250 aeroplanë nga 31 shtete do të jenë pjesë e stërvitjeve ushtarake të titulluara “Trident Juncture”, të cilat kanë për qëllim trajnimin e Aleancës për të mbrojtur vendet anëtare nga agresioni.

“Në vjetët e fundit, ambienti i sigurisë në Evropë është përkeqësur ndjeshëm”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në Norvegji.

“Trident Juncture dërgon mesazh të qartë për kombet tona dhe për ndonjë armik potencial. NATO-ja nuk kërkon përballje mirëpo ne jemi të gatshëm për të mbrojtur të gjithë aleatët tanë kundër çdo kërcënimi”, ka thënë ai para gazetarëve të mërkurën.

Ndonëse “armiku potencial” nuk është identifikuar zyrtarisht, Rusia ka qenë në mendjen e secilit.

Ky shtet, që ndan një kufi prej 198 kilometrave me Norvegjinë në Veri, ka përmendur vazhdimisht në vjetët e fundit fuqinë e saj ushtarake.

Ushtria ruse ka aneksuar Krimenë, ka ndihmuar në destabilizimin e lindjes së Ukrainës, ka rritur kapacitetet ushtarake në Arktik dhe ka kryer stërvitjet ushtarake më të mëdha të realizuara ndonjëherë në muajin shtator.

Stërvitje “antiruse”

Ambasada ruse në Oslo i ka konsideruar stërvitjet e NATO-s “antiruse”.

“Një aktivitet i tillë është provokativ edhe nëse tentoni ta arsyetoni kinse është duke u realizuar për qëllim të pastra të mbrojtjes”, është thënë në deklaratën e kësaj Ambasade.

Përveç tjerash, Moska ka qenë e zemëruar për muaj të tërë për rritjen e prezencës ushtarake të Perëndimit në rajon. Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë rritur numrin e trupave të tyre në Norvegji për t’i ambientuar me luftime në mot të ftohtë.

Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, pati dënuar në muajin janar hapat e NATO-s, duke premtuar se Moska do të marrë “masa hakmarrëse”.

“Shtetet kryesore të NATO-s janë duke rritur prezencën e tyre ushtarake në rajon, afër kufirit me Rusinë”, ka thënë ajo.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme