Ministri i në detyrë i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, dhe kryetar i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për realizimin e projektit, “Ndërtimi i Parkut Memorial të UÇK-së në Jezerc-Ferizaj’, në vlerë totale prej 400 mijë euro, të financuar nga MMPH.
Në ceremoninë e nënshkrimit të këtij memorandumi, ministri Matoshi ka deklaruar që si Ministër i MMPH-së, në vazhdimësi ka përkrahur komunat e Kosovës, në rritjen e përformances dhe arritjen e synimeve të tyre.
“Me këtë projekt ne do të arrijmë që të kemi një kujdes më të madh për dëshmoret e rënë në luftën tonë për liri”, ka vlerësuar Ministri Matoshi.
Nga ana tjetër, kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka falënderuar Ministrin Matoshi për përkrahjen që ky i fundit po i jep komunës së Ferizajt dhe vlerësoi se ky projekt është mjaft i rëndësishëm marrë parasysh historinë që përfaqëson, kontributin dhe sakrificën e dhëne nga ushtarët e UÇK-së për lirinë e Kosovës.
Krenarinë e luftës çlirimtare kemi amanet ta trashëgojmë ndër breza. Këtë mision ka Muzeu i Kujtesës dhe që nga sot edhe Parku Memorial i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Jezerc! 400 mijë euro është vlera financiare që nënshkrova sot me ministrin e Mjedisit, Fatmir Matoshi, për ndërtimin e projektit më unikal, më origjinal e memorizues të luftës për liri, Parkut Memorial të UÇK-së në Jezerc. Ta lartësojmë guximin e trimave e trimëreshave dhe krenarinë që kemi të gjithë ne”, ka shkruar Aliu në Facebook.