Qeveria e Shqipërisë ka marrë vendim për ndarjen e mjeteve financiare për hapjen e zyrave të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Medvegjë.
Këtë e ka konfirmuar Ministri i Punëve të Jashtme në detyrë i Shqipërisë, Gent Cakaj.
“Edhe një punë fort domethënëse për Luginën e Preshevës. Pas mbështetjes financiare për shpërndarjen falas të materialeve shkollore për nxënësit shqiptarë në Luginën e Preshevës, Qeveria e Shqipërisë tani ka vendosur të ndajë edhe mjetet e nevojshme financiare për hapjen e zyrave të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Medvegjë”, është shprehur Cakaj, transmeton Klan Kosova.
“Shqiptarët e Medvegjës, sot, kanë nevojë të jashtëzakonshme për praninë e Këshillit dhe mbështetjen e Shqipërisë, veçanërisht në përballjen e tyre me çështjen e pasivizimit të adresave dhe para sfidës madhore për ruajtjen e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare”.
Ai është shprehur se duhet të marren përgjegjësitë politike për t’i mbështetur edhe institucionalisht qytetarët e Medvegjës.
“Mbështetja e Shqipërisë për hapjen e zyrave të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Medvegjë është e domosdoshme, por e pamjaftueshme. Kjo shënon thjesht fillimin e një pune më të thellë e sistematike për ruajtjen e të drejtave e mbështetjen e fortë edhe për shqiptarët e Medvegjës…”.