Shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, hyri sot në Kosovë pas orës 17, ndonëse nuk kishte leje nga autoritetet e Kosovës për një vizitë të këtillë.
Qëllimi i vizitës së tij dhe të disa zyrtarëve tjerë serbë ishte pjesëmarrja në një takim me zyrtarë lokalë të Mitrovicës së veriut për të debatuar në lidhje me diskutimet që Qeveria e Serbisë ka nisur në shtetin serb për çështjen e Kosovës.
Mirëpo, me të hyrë në Kosovë, njësitë speciale të Policisë së Kosovës, të cilat kishin mësyrë veriun që nga mëngjesi për të penguar hyrjen e zyrtarëve serbë pa leje në Kosovë, u angazhuan që të arrestojnë Gjuriqin.
Arrestimi i tij u bë rreth orës 17:30 derisa i njëjti po fliste në takimin që po mbahej në Gjykatën e veriut. Më pas, ai u soll në Prishtinë ku u fut me duar të lidhura në stacionin Qendra derisa mediat përcollën këtë ngjarje nga afër.
Mirëpo, pas pak kohe, i njëjti u raportua se u dërgua në Merdarë ku iu dorëzua autoriteteve serbe atje.
Për këtë ngjarje kanë raportuar edhe mediat ndërkombëtare, duke u nisur nga Reuters, AP, Washington Post, Euronews, e të tjera.
Reuters raporton se si Policia e Kosovës ka hedhur gaz lotsjellës në Mitrovicë për të shpërndarë protestuesit e mbledhur jashtë ndërtesës ku po mbahej takimi i Gjuriqit.
Më pas, Gjuriq u arrestua nga Policia për shkak se atij i ishte ndaluar hyrja në vend për shkak të komenteve nacionaliste të tij të cilat Kosova i ka konsideruar nxitëse.
Gjuriq më pas u soll në Prishtinë në një kamion policor, dhe, i brohoritur nga qytetarët e mbledhur, eci me duar të lidhura në stacionin kryesor të Policisë, ka thënë një burim i Reutersit.
Por, pas pak kohësh, Gjuriqi u dërgua në një pikëkalim kufitar dhe u lirua të kalojë në Serbi.