Vendimi i Gjykatës së Colmarit së Francës për lirimin me kusht, dhe jo krejtësisht, të liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, po vlerësohet të jetë i padrejtë, nga njohës të çështjeve të drejtësisë dhe qytetarë.
Behxhet Shala, kryetar i Këshillit për mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), thotë se ndalimi i Haradinajt nga autoritetet franceze përbën shkelje të të drejtave të njeriut.
Shala tha për Ekonomia Online se Franca nuk do të duhej t’i merrte me seriozitet fletarrestet “politike” të Serbisë. “Nëse ka ndonjë dyshim, atëherë Kosova duhet të ketë përgjegjësi juridike dhe penale që të merret me rastet e krimeve të luftës, e jo Beogradi, që i ka futur në listë të zezë të gjithë ish-komandantët e UÇK-së”, ka thënë Shala.
Ehat Miftaraj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë për Ekonomia Online se ky vendim i gjykatës nuk e paragjykon vendimin për ekstradim, ndërsa beson se gjykata franceze në fund do të marrë vendim të drejtë.
“Lidhur me atë se a ekstradohet apo jo Haradinaj në Serbi, gjykata franceze do të vendosë në ditët në vazhdim. Varësisht prej asaj se sa ka mundur Serbia të vërtetojë, apo autoritetet në Kosovë apo pala mbrojtëse kërkesën për të liruar, gjykata do të marrë një vendim meritor. Sidoqoftë në bazë të praktikës të deritanishme nga shtet e ndryshme lidhur me rastet që janë arrestuar shtetas të Kosovës me fletarreste të Serbisë, Haradinaj do të lirohet”, tha Miftaraj.
Edhe qytetarët e Kosovës vlerësojnë se ky vendim i gjykatës franceze është i padrejtë.
Ka prej tyre që mendojnë se ky vendim është nënçmim, jo vetëm për Haradinaj, por për gjithë popullin shqiptar.
Ata presin që ish-kryeministri Ramush Haradinaj të kthehet sa më shpejt në Kosovë.
Gjykata e Colmarit vendosi sot që ta lirojë me kusht Ramush Haradinajn, që nënkupton se ai nuk mund të largohet nga Franca dhe se duhet të lajmërohet në polici dy herë në javë.