Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti i Përgjithshëm, ka ndaluar të dyshuarit V.H dhe G.A. në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale ‘’Vetëgjyqësia’’ nga neni 418 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Ekziston dyshimi i bazuar se, më 01-02 dhjetor 2018, në Gjilan, të dyshuarit me dashje, me anë të përdorimit të forcës dhe kanosjes serioze, si dhe me anë të ushtrimit në mënyrë arbitrare të një të drejte që mendonin se u takon, në vend se t’i drejtohen organit kompetent, me qëllim të realizimit të një borxhi në shumë prej 28.000 (njëzetetetë mijë) euro, kanë shkuar në shtëpinë e të dëmtuarit A.A., me ç’rast aty nga nëna e tij, me këmbëngulje kërkonin borxhin, të cilin pretendonin se ua kishte i dëmtuari dhe nën kërcënimin e fjalëve e kërkojnë të njëjtin, ku në një moment fillojnë t’a shtyejnë me duar të dëmtuarën, të cilën edhe e rrëzojnë në tokë.
Të dyshuarit, që nga fillimi i muajit nëntor, kanë ushtruar presion në familjen e të dëmtuarit, për inkasimin e borxhit.
Prokuroria brenda afatit ligjor, ndaj të dyshuarve ka ushtruar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën kompetente në Gjilan, si dhe ka nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve, me qëllim të ndriçimit të kësaj çështje.