Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti i Përgjithshëm, ka ndaluar tre persona, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor’’.
Ekziston dyshimi i bazuar, që gjatë ditës së djeshme, të dyshuarit O.J. dhe D.J., në komunën e Gjilanit, me dashje i kanë shkaktuar lëndime trupore të pandehurit tjetër L.J., duke e goditur me shufër metalike dhe lopatë, në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit, i cili nga goditjet e marra, humbë vetëdijen dhe rrëzohet në tokë.
Me ç’rast, dyshohet që kanë kryer veprën penale ‘’Lëndim i rëndë trupor’’ nga neni 189 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 nënparagrafi 1.3 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Ndërsa, i dyshuari L.J., gjatë fjalosjes me të pandehurin O.J, në një moment ia merr shufrën metalike nga dora dhe me të njëjtën e godet atë në fytyrë, duke i’a thyer hundët dhe dhëmbët e përparmë. Në këtë mënyrë, dyshohet se ka kryer veprën penale, ‘’Lëndim i rëndë trupor’’ nga neni 189 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 nënparagrafi 1.3 të KPRK-së.
Dyshohet që e tërë ngjarja ka ndodhur për shkak të një kontesti pronësor, që të dyshuarit kanë pasur mes vete dhe për këtë çështje prokuroria ndaj tyre ka ushtruar kërkesën për caktimin e paraburgimit në Gjykatën kompetente në Gjilan.