Prokuroria Themelore në Ferizaj, përmes një komunikate për media ka njoftuar se pas një hetimi disa mujor nga ana e Prokurorisë në bashkëpunim me Drejtorinë e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Ferizaj, me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar të dyshuarin J.K., nga komuna Ferizaj, në kohëzgjatje prej 48 orësh.
Personi në fjalë dyshohet ka kryer veprat penale “Mashtrimi me subvencione” nga neni 324 dhe “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri J.K., gjatë muajit mars dhe prill 2020, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm nga vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndihmat me Pakon Fiskale Emergjente për COVID-19, për shoqëritë tregtare dhe punëdhënësit tjerë që regjistrojnë punëtorë me kontrata pune së paku një (1) vjeçare nga njëqind e tridhjetë (130) Euro për dy muaj pasues pas regjistrimit, i njëjti kishte lidhur disa kontrata pune, gjithsej nëntëmbëdhjetë (19) duke deklaruar në Administraten Tatimore të Kosovës (ATK) se ka nëntëmbëdhjetë (19) punëtorë të rinj dhe përfitimi nga kjo masë ishte 2,470.00€ për një (1) muaj, që gjithsej për dy muaj (Mars-Prill 2020) i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit në vlerë prej 4,940.00€.
Po ashtu, i dyshuari J.K., me dashje ka përpiluar dokument të falsifikuar, konkretisht kontrata pune pa autorizim si dhe pa pëlqimin e të dëmtuarve, me qëllim të shfrytëzimit të këtyre dokumenteve si origjinal edhe pse asnjërin nuk e kishte të regjistruar në ATK dhe nuk i’u kishte paguar kontributet personale, por kjo ishte bërë vetëm për të aplikuar për marrjen e subvencioneve të punëtorve.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, brenda afatit ligjor, ndaj të njëjtit, do të paraqes kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj.