Para 21 vjetësh, pasi nga Beogradi ishte kthyer duarthatë ish i dërguari i posaçëm amerikan, Richard Holbrook, dhe i kishte thënë sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Javier Solana, se diktatori Slobodan Milosheviq kishte refuzuar edhe kërkesën e fundit për t’i dhënë fund fushatës së pastrimit etnik të shqiptarëve në Kosovë, nisën sulmet ajrore të kësaj aleance për ta çliruar Kosovën.
Para 21 vjetësh, kur i nisi sulmet ajrore në Kosovë, NATO-ja kishte 16 vende anëtare, ndërsa sot ka plot 30, me Maqedoninë e Veriut si anëtarin më të ri që hyn këto ditë. Gjatë sulmeve asaj iu bashkuan edhe Republika Çeke, Hungaria dhe Polonia. Më vonë në vitin 2004 edhe Sllovenia, Sllovakia, Estonia, Letonia, Lituania, Bullgaria dhe Rumania. Disa vjet më vonë edhe Shqipëria dhe Kroacia, para disa vitesh edhe Mali i Zi dhe tash Maqedonia e Veriut, raporton Koha.
NATO-ja ndërhyri në Kosovë për të parandaluar edhe tensionimin e mëtejmë të rajonit të Ballkanit. Tash NATO-ja po rrumbullakon praninë e vet në këtë rajon. Të gjitha shtetet që kanë dashur, janë bërë anëtare të NATO-s. Kosova, që nuk mund të trajtohet si shtet nga NATO-ja pasi nuk është njohur nga katër vende anëtare, e NATO-ja është organizatë e bazuar në konsensus, e ka praninë e NATO-s në Kosovë. Serbia nuk do të jetë anëtare e NATO-s dhe Bosnjë-Hercegovina, për shkak të vetos së serbëve të Bosnjës, nuk mund të niset formalisht në këtë rrugë. Kështu, sot NATO-ja e ka të përhapur praninë në tërë Evropën, përfshirë edhe pjesën strategjike të Mesdheut, Adriatikut, Jonit dhe Egjeut. Rusia ka mbetur me ndikimin që ka në Serbi dhe në mesin e serbëve në disa shtete të tjera të rajonit, si Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë.
Para 21 vjetësh, NATO-ja gjeti arsyen për të ekzistuar edhe pas Luftës së Ftohtë. Tash NATO-ja transformohet për t’u përballur edhe me sfidat e reja, nga sulmet kibernetike e deri te parandalimet e epidemive me virus. E Kosova vazhdon shtetformimin me sfida edhe të brendshme, edhe të jashtme. Por asnjë dështim i Kosovës, asnjë ndryshim në NATO, asnjë ndryshim në politikën ndërkombëtare nuk e vënë në dyshim se ndërhyrja në Kosovë ishte një gjë e drejtë dhe e domosdoshme.