Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ia kishte bërë një vizitë të pazakontë, në vitin 2010, guvernatorit të atëhershëm të Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepit.
Bashkë me ministrin e Financave Ahmet Shala, kishin hyrë në zyrën e Rexhepit për të kërkuar prej tij licencimin e kompanisë së sigurimeve “Europa Inc”, e cila ishte bllokuar për shkak të prejardhjes së dyshimtë të kapitalit dhe problemeve ligjore të aksionarëve.
Kjo vizitë dhe një tjetër e Azem Sylës, më vonë për të punësuar njerëz të tij në BQK, ndodhën pak ditë para se t’i vinin në zyrë njësia speciale për ta arrestuar ish-guvernatorin Rexhepi.
“Ka qenë një shembull i keq i ndërhyrjes në punën e BQK-së. Ahmet Shala dhe Sami Lushtaku kishin ardhur që të intervenojnë për licencimin e një kompanie sigurimi (Europa Inc.)”, kujton detaje nga ai takim, Rexhepi.
Në takim, përveç tjerëve, Rexhepi thotë se ka qenë edhe Drejtoresha e Njësisë për Licencim, Syzana Dervari, e cila i kishte informuar ‘vizitorët’ se kompania ‘Europa Inc’ ka probleme të mëdha ligjore.
Aksionarët e “Europa Inc” me të kaluar kriminale
Pronarët e kompanisë ‘Europa Inc’, për të cilën kishin intervenuar të licencohej Ahmet Shala dhe Sami Lushtaku, kishin të kaluar kriminale.
Banka Qendrore e Kosovës, përkatësisht Njësia për Licencim në kuadër të saj, para se ta licencoj një kompani kërkon informata nga Policia e Kosovës rreth të kaluarës se aksionarëve.
Në rastin e ‘Europa Inc’, Policia e Kosovës kishte konstatuar se tre prej pronarëve kishin të kaluar kriminale.
“Në takim ishte përveç tjerëve edhe drejtoresha e njësisë për licencim, e cila na informoi se kompania në fjalë ka probleme, sepse është e paqartë struktura e pronësisë dhe prejardhja e kapitalit dhe se ndër tjera nga policia ishte marrë informata se tre nga pesë anëtarët e propozuar për menaxhment të lartë kishin të kaluar kriminale”, tregon Rexhepi.
Ai pohon t’iu këtë thënë Shalës dhe Lushtakut se “pa i përmbushur kërkesat ligjore nuk mund ta fusim kompaninë në procedurë të licencimit”.
Por kjo duket se nuk iu kishte pëlqyer Shalës e Lushtakut, të cilët thotë se e paralajmëruan se kjo nuk do të mbetej me kaq.
Dhe për koincidencë, nuk shkoi as një javë dhe policia i trokitën në derë ish-guvernatorit.
“Kjo si duket nuk iu pëlqeu. Është e vërtetë se pas disa ditësh erdh deri të bastisja e policisë dhe arrestimi i im”, pohon Rexhepi, duke e ndërlidhur këtë rast me arrestimin e tij që pasoi disa ditë më vonë.
Lista e Azem Sylës
Gjatë kohës sa e mbajti mandatin në krye të BQK-së Hashim Rexhepin e kishte vizituar edhe ish-komandanti i Shtabit të Përgjgithshëhm të UÇK-së, Azem Syla.
“Azem Syla ka ardhë në BQK me një listë të njerëzve që kërkonte t’i akomodojë”, kujton atë takim Rexhepi, i cili thotë se e ka refuzuar mënjeherë.
Por ndryshe nga Shala e Lushtaku, të cilët sipas Rexhepit dukeshin të nevrikosur, Syla e kishte pritur me qetësi refuzimin e kësaj kërkese.
“Azem Syla vetëm më ka thënë që nëse mundesh me i marr këta njerëz në punë. Nuk ka thënë asgjë tjetër”, thotë Rexhepi.
Kompania fiktive e sigurimeve që e qoj në burg Rexhepin
Shumë nga rastet të cilat BQK kishte marr masa, do të përdoreshin më vonë në procesin gjyqësor kundër Rexhepit. Kjo sipas tij u bë pasi vendimet e tij kishin shkaktuar zemërimin e shumë njerëzve, shpeshherë të afërt me pushtetin.
Një rast i ngjashëm është me kompaninë “Drini” të cilës Rexhepi ia kishte revokuar licencën në vitin 2003, derisa mbante aso kohe detyrën e Drejtorit të Departamentit për Rregullimin dhe Mbikëqyrjen e Sigurimeve.
Kompania ‘Drini’ kishte deklaruar rrejshëm aksionarët izraelitë dhe nuk kishte paguar kapitalin themelues në shumë prej 2.5 milionë eurosh.
“Në këtë pozicion e kam zëvendësuar z. Tom Turulla, një ekspert amerikan për sigurime. Disa ditë para se ai të largohej nga BQK ma solli dosjen e Drinit dhe më tha se me këtë kompani nuk është diçka në rregull. Kur e analizova dosjen, vërej paqartësi lidhur me pronësinë, sepse ishte një izraelit (z. Godion Sandel) i cili pretendonte se është aksionar i kompanisë, ndërsa në dosje askund nuk figuronte emri i tij. Gjithashtu kompania nuk kishte paguar kapitalin themelues ne shumë prej 2,5 milionë euro, por kishte depozituar një çertifikatë të depozitetit të një banke nga Qiproja Turke”, tregon Rexhepi.
Me qëllim të qartësimit, Rexhepi thotë t’i këtë dërguar një email kompanisë themeluese TIB Helios në Holandë për të qartësuar se a janë themelues të KS Drini, se sa përqind të aksioneve i kanë dhe se a ka pasur ndonjë transfer të aksioneve e për të cilat BQK nuk është informuar. Po ashtu, se a i kanë të deponuara mjetet në bankën qipriote, siç kishin pohuar në dokumentacionin e dorëzuar në BQK.
“Për habi në përgjigjen që marrë, ata kishin shpreh habi dhe theksonin se nuk kanë dijeni se në Kosovë kanë kompani për sigurime, dhe se nuk janë aksionar e as që kanë mjete të deponuara në bankën në Qiprio”, thotë Rexhepi.
Gazeta Fjala posedon dokumentet që TIB Helios i kishte dërguar Rexhepit duke shprehur habi sesi dikush në emër të tyre po operonte në tregun e sigurimeve në Kosovë.
“Menjëherë përmes ambasadës se Turqisë kërkova që të verifikonin në bankën në Qipro certifikatën e depozitit dhe ta informojnë BQK për statusin e certifikatës së depozitit të lëshuar nga kjo bankë. Pas dy muajve marrë përgjigjen se nënshkruesit e certifikatës të depozitit nuk janë punonjës të asaj banke dhe se KS Drini nuk ka të hapur llogari në atë bankë”.
Sipas Rexhepit, ishte e qartë se KS “Drini” ishte licencuar me dokumente të falsifikuara dhe pas kësaj kishte përgatitur propozimin për drejtorin menaxhues të BQK-së që bazuar në dokumentet e falsifikuara të bëhet revokimi i licencës së kësaj kompanie. Bordi i BQK-së aso kohe kishte marrë vendim për revokimin e licencës se kompanisë “Drini”.
E kjo duket të jetë njëra nga arsyet kryesore që quan në arrestimin e tij në vitin 2010.
Dëshmitari kryesor kundër Rexhepit ishte një izraelit, i cili paraqitej si aksionar i “Drinit”.
“Këtë e potencova sepse një nga dëshmitarët kyç, sipas prokurorisë speciale, në procesin kundër meje ishte shfrytëzuar personi izraelit i cili paraqitej si aksionar i KS “Drini” dhe kishte qenë bartësi kryesor i procesit falsifikues të licencimit të kësaj kompanie”.
Në fund kjo akuzë ra si e pabazuar derisa Rexhepi thotë se u la i lirë një dëshmitar i cili paraqitej në gjykatë në emër të një kompanie të rrejshme.