Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë. Pas lëshimit të sallës nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Vetëvendosje kërkoi që seanca të vazhdojë javën e ardhshme, pa precizuar ndonjë datë, derisa LDK-ja kërkoi mbajtjen e seancës të hënën.
Glauk Konjufca nga VV, tha se Kuvendi nuk mund t’i bindet tekeve të PDK-së, por sipas tij, meqenëse të pranishëm nuk janë as anëtarët e kabinetit qeveritar atëherë më e udhës është ndërprerja e seancës.
“Vërejtje serioze për kryeministrin Haradinaj”, tha Konjufca, duke shtuar se Haradinaj nuk mund t’i bindet kërkesave të PDK-së nëse është kryeministër i të gjithëve”.
Ndërkaq, Avdullah Hoti nga LDK-ja tha se seanca duhet të ndërpritet pasi s’ka kuorum.
“Lus deputetët të jenë të arsyeshëm. Ka çështje më të mëdha se agjenda të ngushta individuale”.
Pasi deputetët e PAN-it lëshuan seancën, Memli Krasniqi nga PDK-ja propozoi që seanca të vazhdoj nesër.