Deputetët, Haxhi Avdyli i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë shkëmbyer akuza ndaj njëri tjetrit në seancën e Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Ne debatin e jashtëzakonshëm parlamentar për ikjen jashtë vendi të të rinjve, deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, kritikoi Qeverinë për shpenzimin e fondeve të mëdha në ndërtimin e autostradave dhe jo në sektorë të tjerë më të nevojshëm.
Për këtë reagoi deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, i cili tha se ndërtimi i rrugëve nuk duhet t’ua zë rrugën askujt.
“Sa i përket buxhetit të këtij viti dhe atij të kaluar e dimë që 0.3 për qind është devijimi për buxhetin për ndërtimin e rrugëve, pra sa i përket një autostrade që dikujt po ia zë rrugën. Jemi shumë dakord që ka krizë ekonomike, por e dimë që sa shqiptarë e donë vendin sot e adhurojnë Agim Ramadanin. Ne e dimë që nuk është shkaktar i gjendjes një Qeveri e sotme. Nuk pajtohem me këtë dhe jeni më të sinqertë. Nuk mund ta akuzojmë vetveten dhe duhet të kemi pak kujdes për këtë temë”, tha Haradinaj.
Pa u përgjigjur nuk e la as deputeti Avdyli. Ai tha se para ndërtimit të autostradave, është dashur të shihet të investohet edhe në shëndetësi.
“Unë besoj që investimi në asfalt është i domosdoshëm, por duhet të shikohet se a ka pasur nevojë që gjithkund të ndërtohet autostrada milionëshe, e jo të investohet në shëndetësi dhe ndërmarrje të tjera”, tha Abdyli.