Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili i shoqëruar nga përfaqësuesit nga Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe zyrtarë të tjerë, kanë vizituar vendpunimin ku po ndërtohet Spitali i ri Kirurgjik Pediatrik, donacion i Emirateve të Bashkuara Arabe.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili tha se objekti i premtuar po merr pamje të mirë dhe sipas punimeve intensive që po bëhen pritet të përfundojë brenda afatit të caktuar që pati premtuar kontraktori, raporton Ekonomia Online.
“Ky projekt ka pasë ngecje për një kohë të gjatë dhe tani me donatorët dhe udhëheqësit e ShSKUK-së dhe kontraktorët kemi ardhur ta vizitojmë kirurgjinë klinike të pediatrisë që është donacion i Emirateve të Bashkuara dhe ka filluar me një progres të madh ku kontraktori pati dhënë një zotim ku brenda 22 muajve do të arrijnë ta përfundojnë dhe tani e shohim që fjalët që janë dhënë janë duke u realizuar, është një lajm i mirë që pas ngecjeve shumëvjeçare shohim një progres për një spital të nevojshëm që do mbledh gjitha klinikat e pediatrisë që janë të shpërndara do bëhen me një objekt me shërbime më të shpejta, efikase dhe duke krijuar një standard te ri me cilësi dhe siguri të lartë për pacientët tanë”, tha Ismaili.
“Jam i gëzuar që shoh ndërtesën që po merr formën e saj dhe donacioni po bëhet për fëmijët e Kosovës”, tha Ismaili.
Drejtori i ShSKUK-së, Basri Sejdiu tha se ky investim është shumë i mirë, pasi që po bëhet për fëmijët e Kosovës, raporton EO.
“Është një e mirë e madhe, sepse pacientët janë fëmijët dhe kirurgjia pediatrike është më se e nevojshme për Kosovën dhe do inkorporojë pediatrinë afër gjinekologjisë me neonatologjinë. Krahas planit aksionar që e kanë punëkryesit, ne si ShSKUK do bëjmë planifikim të jemi të gatshëm me staf dhe pajisjet që do vijnë në edukim kemi premtime që do na ndihmojnë në edukim të stafit edhe për Klinikën e Gjinekologjisë të bëjmë kërkesë të jetë një pjesë e donacionit në të ardhmen”, tha Sejdiu.
Përfaqësuesi i punëkryesit, Valon Lluka tha se premtimi po mbahet dhe pritet të përfundojë objekti brenda 22 muajve.
“I informuam për progresin e punëve, ka pasë një ecuri të mirë të punëve dhe jemi zotu gjitha punimet me përfundu sipas afatit të caktuar me kontratë”, tha Lluka.