Spekulimet për lidhjen e mundshme mes rasteve të koronavirusit në Liverpool dhe ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër Atletico Madridit muajin e kaluar është “një hipotezë interesante”, ka thënë këshilltarja shkencor në qeverinë e Britanisë, shkruan BBC.
Për disa vdekje me koronavirus në Liverpool është fajësuar ndeshja e 11 marsit në “Anfield”, ku ishin rreth 52 mijë tifozë, përfshirë 3000 nga Madridi.
Derisa nuk ka lidhje të konfirmuar mes ndeshjes dhe ndonjë rasti të koronavirusit, këshilltarja shkencore Angela McLean, ka thënë se duhet bërë hulumtime të mëtutjeshme.
“Do të jetë shumë interesante të shohim në të ardhmen, se çfarë marrëdhënie ka mes viruseve që kanë qarkulluar në Liverpool dhe viruseve që kanë qarkulluar në Spanjë”, ka thënë ajo të hënën.
Drejtori i shëndetit publik i Liverpoolit, Matthew Ashton më herët i kishte thënë “Guardianit”, se ndeshja është dashur të anulohet. Ndërsa kryebashkiaku i Madridit, Jose Luis Martinbez-Almeida, ka thënë gjatë fundjavës se ka qenë gabim të lejohen mijëra tifozë të Atleticos në stadium.
“Nuk ka pasur asnjë kuptim që 3000 tifozë të Atleticos të udhëtonin në Anfield në atë kohë”, ka thënë Martinez-Almeida për “Onda Cero”.
Shifrat e fundit tregojnë se 246 persona kanë vdekur nga koronavirusi në spitalet e Liverpoolit. Madridi, ndërkohë, është një nga qytetet që është goditur më së rëndi në Evropë. Spanja ka numrin e dytë më të madh të infektuarve në botë, prapa SHBA-së.
Numri i të vdekurve deri të hënën arriti në afro 21 mijë.
Duke folur të hënën, politikani i partisë konservatore, Rishi Sunak, ka refuzuar kritikat se qeveria ka qenë tepër e ngadalshme për të anulua ngjarjet e mëdha sportive.
Festivali Cheltenham, së bashku me ndeshjen e Ligës së Kampionëve mes Liverpoolit e Atleticos, vazhduan në javën e dytë të marsit. Ishin mbi 251 mijë vizitorë gjatë katër ditëve të Festivalit.
Më herët ndeshja e Ligës së Kampionëve mes Atalantas dhe Valencias po ashtu ishte vlerësuar si “bombë biologjike” që ka kontribuuar në përhapjen e koronavirusit në dy vendet.