Ndihmat humanitare, Maduro bllokon urat. Takim europiano-latin në Uruguaji për krizën

Prishtinë | 07 Shk 2019 | 08:46 | Nga Ekonomia Online

Një takim ndërkombëtarësh për të negociuar një zgjidhje për krizën venezuelase pritet të mbahet këtë të enjte në Montevideo, teksa presidenti Nicolas Maduro dhe udhëheqësi i opozitës, Juan Guaido, vijojnë debatet nëse duhet të lejojnë apo jo ndihmat humanitare për vendin e gjunjëzuar nga kriza e mungesat e elementeve jetike.

Bashkimi Europian, 8 vende të tjera europiane dhe 5 shtete amerikano-latine pritet të takohen në kryeqytetin e Uruguajit, me objektiv krijimin e kushteve për një proces politik paqësor, sipas burimeve diplomatike europiane të agjencisë “AFP”.

Nisma, e lançuar fillimisht nga Meksika dhe Uruguaji si një konferencë “e vendeve neutrale” për Venezuelën, është zgjeruar më tej si një takim i “grupit të kontaktit”, lançuar nga BE-ja në fund të janarit, të cilit iu bashkuan Kosta Rika, Bolivia dhe Ekuadori.

Të mërkurën, Maduro – i cili më herët kishte refuzuar një ultimatum të BE-së për të mbajtur zgjedhje të parakohshme presidenciale, – mirëpriti takimin dhe shprehu mbështetjen për “të gjitha hapat dhe nismat që do të lehtësonin dialogun”.

Por, Guaido, i cili nga 23 janari e ka shpallur veten si president të përkohshëm të Venezuelës dhe ka fituar njohjen e 40 vendeve, ka refuzuar me forcë çdo diskutim me qeverinë aktuale, pasi e quan thjesht një mënyrë që Maduro të fitojë kohë.

Në po të njëjtën ditë, Guaido paralajmëroi ushtrinë për përgjegjësitë e saj, pasi disa ushtarë bllokuan një urë kyçe me fqinjët, duke nxitur kështu edhe reagimin e Shteteve të Bashkuara, me thirrjet për të lejuar ndihmat aq shumë të nevojshme humanitare të hynin në vendin e pasur me naftë.

Ushtria e Venezuelës ka mundësi të zgjedhë mes “një diktature që nuk ka asnjë aspak lidhje me njerëzimin, ose të vihet në anën e Kushtetutës”, prej së cilës ai merr legjitimitetin, tha Guaido gjatë një interviste për një radio kolumbiane.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo tha se ushtria e Venezuelës i ka bllokuar qëllimisht ndihmat humanitare “në zbatim të urdhrave të Maduros”. Uashingtoni është zotuar të ofrojë 20 milionë dollarë ndihma, ndërsa Kanadaja shton edhe 40 milionë dollarë të tjera, ndërkohë që ndihmat e Bashkimit Europian shkojnë rreth 7.5 milionë euro.

Maduro, i cili mbështetet nga Rusia, Kina, Turqia, Kuba dhe Irani ka refuzuar çdo lloj dërgese humanitare në Venezuelë, pasi një gjë e tillë – pretendon ai, – do t’i hapte udhën një pushtimi ushtarak të Shteteve të Bashkuara. Presidenti 56-vjeçar ka akuzuar vazhdimisht Shtetet e Bashkuara se po tentojnë të organizojnë një grusht shteti në vendin e tij.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme