Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF), ka publikuar Raportin e Monitorimit “Shërbimet Sociale në Kohë Pandemie”, raporton Ekonomia Online.
Donjetë Kelmendi, drejtoresh ekzekutiv në KOMF, tha se raporti ka si qëllim kryesor pasqyrimin e gjendjes aktuale mbi shërbimet sociale.
Kelmendi shtoi se fëmijët me nevoja të veçanta mbetën pa shërbime gjatë pandemisë si dhe u rritën rastet e dhunës.
“Shërbimet gjatë vitit 2020 ishin më të rënda se gjatë vitit 2019. Ishte vit i rëndë për të gjitha fushat për shkak të pandemisë, sidomos ka rënduar gjendjen e grupeve të cenueshme. Është rritur numri i rasteve që kanë kërkuar shërbime sociale poashtu është rritur numri i rasteve të dhunës në familje e të fëmijëve pa përkujdesje”.
“Fëmijët me nevoja të veçanta mbeten pa shërbime. Kosova u përball me mbyllje të shërbimeve sociale sidomos ato që ofrohen nga sektori joqeveritar. Vetëm strehimorët që ofronin shërbime 24 vazhduan punën”.
“Viti 2020 si asnjëherë më parë u përballë me mungesë financiare për ofruesit e shërbimeve sociale. Një gjë pozitive që është vlerësuar është se për dallim nga viti 2019 nga 7 komuna 3 prej tyre kanë rritur buxhetin për shërbime sociale”.
Zëvendësministër i Financave, Punës dhe Trasfereve, Ilir Kapiti tha se kanë bërë ndarjen e 1 milion eurove për organizata që japin shërbime për fëmijët.
“Ne jemi përgjegjës për organizimin dhe ofrimin e shërbimeve sociale. Ministria duhet të sigurohet që të gjithë banorët kanë qenë njësoj të barabartë. Shërbimet sociale janë decentralizuar në vitin 2009 në Kosovë”.
“Ministria ka ndarë 1 milion euro për OJQ që japin shërbime për fëmijë. Poashtu kemi vendosë që organizatat e tilla të jenë pjesë e rimëkëmbjes ekonomike. Do të krijojmë një grup specifik për gjetjen e burimit të financimit për këto kategori. Pandemia ja ka efektuar të gjithëve sidomos Ministrinë e Financave me mjete të limituara që kemi”.
Habit Hajredini, drejtor i zyrës për Qeverisje të mirë, në kuadër të Zyrës së kryeministrit, tha se pa shërbime sociale të mirëfillta nuk mund të kemi mbrojtje të fëmijëve, raporton EO.
“Ky raport ka të gjetura që hyjnë në punë. Qeveria Kurti i ka dhënë prioritet trajtimi të barabartë, drejtësisë e barazisë. Kërkohet mobilizim për të punuar në këtë aspekt. Pandemia ka goditur grupet me të ndjeshme sidomos fëmijët”.
“Pa shërbime sociale të mirëfillta nuk mund të kemi mbrojtje të fëmijëve. Ne jemi të mandatar që të mbajmë takimet të vazhdueshme me organizata të shoqërisë civile dhe kemi sjellë progres sepse thuajse jemi në finalizim të 17 akteve nënligjore. E konsiderojmë tepër të rëndësishëm mobilizim për të tejkalua sfida sa i përket shërbimeve”.
Sazan Ibrahimi, drejtor ekzekutiv në Asociacionin e komunave të Kosovës, tha se komunat janë ballafaquar me sfida sa i përket financave, duke pamundësuar mbajtjen e aktiviteteve, raporton EO.
“Viti 2020 ka qenë shumë i vështirë për nivelin qendror e lokal. Komunat janë ballafaquar me sfida sa i përket financave gjë që ka pamundësuar mbajtjen e aktiviteteve. Ne do ta diskutojmë këtë raport e këto të gjetura. Është e mirëseardhur që 3 nga 7 komuna kanë subvencionuar dukshëm OJQ që ofrojnë shërbime sociale”.