Një kompani dhe drejtuesi i një kamioni janë gjobitur me gjithsej 1 mijë e 100 euro nga Policia e Kosovës, pasi kamioni kishte ndotur rrugën në fshatin Landovicë të Prizrenit.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti është evidentuar më 25 nëntor, gjatë patrullimit të rregullt nga zyrtarët e Stacionit Policor Prizren-Veri.
Gjatë kontrollit në terren është konstatuar se drejtuesi i kamionit nuk i kishte pastruar rrotat e automjetit para se të dilte nga një vendpunishte me baltë në rrugën e asfaltuar.
“Pas verifikimeve në vendin e ngjarjes, është konstatuar se drejtuesi i kamionit nuk kishte pastruar rrotat e automjetit para se të dilte nga terreni me baltë në rrugën e asfaltuar. Si pasojë, është ndotur rruga dhe është rrezikuar siguria e pjesëmarrësve në komunikacion. Për këtë shkelje, personit juridik, përkatësisht kompanisë pronare të kamionit, i është shqiptuar gjobë në vlerë prej 1,000 euro, ndërsa drejtuesit të kamionit 100 euro” – thuhet në njoftim.
Policia ka bërë të ditur se do të vazhdojë ndërmarrjen e masave për parandalimin e shkeljeve që rrezikojnë sigurinë në komunikacion dhe jetën e qytetarëve.