Ndotja e ajrit vazhdon të mbetet sfidë për institucionet kosovare në vazhdimësi. Ajri i ndotur në Kosovë e në veçanti në kryeqytet po alarmon banorët sidomos gjatë stinës së dimrit kur edhe përkeqësohet situata.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka thënë se në rast të një situate alarmante do të shqyrtojnë mundësinë e ndalimit të përdorimit të thëngjillit për ngrohje në ekonomi familjare apo edhe reduktimin e lëvizjes së makinave në lagje të caktuara të Prishtinës.
Matësi i Cilësisë së Ajrit i vendosur në ambasadën amerikane në Prishtinë monitoron nivelin e ndotjes së ajrit pa ndërprerë 24 orë.
Ky matës po vazhdon të tregojë shifra alarmante të ndotjes në kryeqytet tani që temperaturat kanë shënuar zbritje.
Para disa ditësh matësi i vendosur në ambasadën amerikane në Prishtinë gjatë mëngjesit në indeksin e cilësisë së ajrit ka dhënë shifrën 245 që kur përkthehet në cilësi të ajrit është shumë i pashëndetshëm për qytetarët.
Së fundi nga ajri i ndotur në Klinikën e Pulmologjisë në QKUK janë shtrirë tre persona kurse 15 të tjerë kanë marrë trajtim mjekësor.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kanë deklaruar se si Ministri dhe në kuadër të Taks Forcës ndërministrore ndër të tjera kanë marrë vendim për ndalimin e përdorimit të thëngjillit në institucione publike.
“Përveç vendimeve që kemi marrë për ndalimin e përdorimit të thëngjillit për ngrohje në shkolla dhe në objektet e institucioneve publike, ndalimin e dhënies falas të thëngjillit për punëtorët e KEK-ut, ne kemi bërë kërkesa të vazhdueshme që ministritë e linjës të kryejnë përgjegjësitë që kanë në reduktimin e ndotjes së ajrit”, thuhet në përgjigjen e MMPH për Express.
Nga kjo ministri kanë thënë se kanë kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës që të fillojnë urgjentisht realizimin e udhëzimit administrativ i cili ndalon regjistrimin e veturave që tejkalojnë normat e lejuara të shkarkimeve në ajër.
“Ministria e Infrastrukturës në qershor të këtij viti ka filluar me fazën testuese të zbatimit të këtij udhëzimi mirëpo kjo fazë duhet të përfundojë dhe ky udhëzim duhet urgjentisht të fillojë së realizuari dhe kjo do të përmirësojë dukshëm gjendjen pasi që veturat e sidomos ato të vjetra janë një nga ndotësit më të mëdhenj të ajrit”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mjedisit.
Ministria e Mjedisit po ashtu janë shprehur se në rast të një situate alarmante do të shqyrtojnë mundësinë e ndalimit të përdorimit të thëngjillit në ekonomi familjare.
“Në rast se përkeqësohet gjendja dhe situata alarmohet atëherë ne si Ministri së bashku edhe me Task Forcën ndërministrore do të shqyrtojmë mundësit tjera për reduktimin të ndotjes, duke përfshirë ndalimin e përdorimit të thëngjillit edhe në ekonomi familjare apo duke reduktuar lëvizjen e makinave në lagje të caktuara të Prishtinës”, thanë nga MMPH.
Komuna e Prishtinës nuk ka ndonjë plan konkret se si të zbutet kjo gjendje në këtë komunë ku ndotja e ajrit është shumë problematike.
Shpend Ahmeti, kryetar i Prishtinës në një shkrim në Facebook para disa ditësh ka thënë se do të konsiderohen masat e shpejta si reduktimi i trafikut në kryeqytet por që nuk do të kenë ndonjë efekt të madh.
“Masat e tjera të shpejta janë pa ndonjë efekt të madh në situatën aktuale. Masat e trafikut janë duke u zbatuar dhe edhe gjatë këtij viti me parking, congestion charge dhe masa të tjera do të kemi reduktim të trafikut gjatë vitit. Megjithatë, problemi kryesor mbeten metodat alternative të ngrohjes”, ka shkruar Ahmeti para disa ditësh në Facebook.
Sipas një analize të institutit GAP lidhur me ndotësit më të mëdhenj të ajrit gjatë dimrit në Prishtinë, fajtorë janë KEK-u, veturat por edhe përdorimi i thëngjillit për ngrohje nga amvisëritë kanë rol kyç në ndotjen e ajrit gjatë muajve të ftohtë të vitit.