Ndotja e ajrit po vret gjysmë milioni foshnja çdo vit

Prishtinë | 22 Tet 2020 | 08:25 | Nga Ekonomia Online

Ndotja e ajrit vitin e shkuar ka shkaktuar vdekje të parakohshme tek afro gjysmë milioni foshnje që ishin që në muajin e parë të jetës, me shumicën e këtyre rasteve të evidentuara në botën në zhvillim.

Ekspozimi ndaj ndotësve të ajrit është gjithashtu i dëmshëm për foshnjat që endej janë në mitër, ka treguar një studim i fundit. Ndikimi i ndotjes mund të shkaktojë lindje të parakohshme apo të gjenerojë lindjen e foshnjave me nënpeshë. E këta dy faktorë janë të lidhur me mortalitetin e foshnjave.

Afro dy të tretat e 500.000 vdekjeve të dokumentuara të foshnjave ishin të lidhura me ndotjen e ajrit, posaçërisht nga ndotja e shkaktuar prej karburanteve të ngurta, si thëngjilli, druri dhe bajgat e kafshëve për gatim.

Zbulimi është pasqyruar në raportin “State of Global Air 2020”, i cili ka ekzaminuar të dhënat e vdekjeve përreth botës, dhe është pjesë e alarmeve në rritje që dalin nga studimet që e lidhin ndotjen e ajrit me problemet shëndetësore.

Ekspertët mjekësorë kanë paralajmëruar për vite me radhë për ndikimin e ajrit të ndotur tek të moshuarit dhe te ata me probleme shëndetësore, por ata vetëm tani kanë arritur të zbulojnë ndikimin e ndotjes tek vdekshmëria e foshnjave që në mitër.

Katherine Walker, shkencëtarja kryesore në institutin “Health Effects Institute”, i cili e ka publikuar raportin, ka thënë: “Nuk e kuptojmë tërësisht se çfarë mekanizmash janë në këtë fazë, por po ndodh edhe diçka që po shkakton ulje te rritja e foshnjave dhe përfundimisht të peshës së të sapolindurve. Ekziston një lidhje epidemiologjike, e shfaqur nëpër shumë vende dhe në shumë studime”.

Foshnjat e lindura në nënpeshë janë më të ndjeshme ndaj infeksioneve në fëmijëri dhe ndaj pneumonisë. Mushkëritë e foshnjave të lindura para kohe mund të mos jenë të zhvilluara plotësisht.

“Ato lindin në një ambient shumë të ndotur dhe janë më të ndjeshme sesa fëmijët e tjerë”, ka thënë Dan Greenbaum, udhëheqës i institutit “Health Effects Institute” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Beate Ritz, profesoreshë e epidemiologjisë në Universitetin e Kalifornisë në Los Angeles, e cila nuk ka qenë gjithashtu pjesë e studimit, ka thënë se ndotja e ajrit në qytetet përreth Indisë, në jugperëndim të Azisë dhe në Afrikë ishte e krahasueshme me ndotjen e periudhës së Londrës viktoriane, gjatë shekullit nëntëmbëdhjetë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme