Partia e Albin Kurtit ka nisur të flasë me dy zëra për mundësinë e një koalicioni me PDK’në e Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit. Derisa Glauk Konjufca nuk përjashtoi PDK’në, Liburn Aliu tha se duhet PDK të distancohet nga e kaluara, Zëdhënësi i Vetëvendosjes e ka përjashtuar krejtësisht nga një koalicion me partinë që ka qeverisur më së gjati Kosovën
Partitë politike, të cilat do të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, tashmë kanë paralajmëruar qasjet e tyre për zgjedhje.
Lëvizja Vetëvendosje nuk e përjashton një koalicion të mundshëm vetëm me një listë, që siç thuhet pritet ta krijojë ushtruesja aktuale e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani. Siç thotë për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu, partitë tjera nuk do të merren në konsideratë për ndonjë koalicion të mundshëm me të.
“Nuk kemi, as kohë, e as vota për të humbur me partitë tjera të këtij klubi të stërvjetërurar politik”, thotë Kryeziu për REL.
Arban Abrashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë në një takim me gazetarë se partia e tij mbetet të shqyrtojë se si do t’u qaset zgjedhjeve.
“Për momentin, në parti ende nuk e kemi diskutuar, por orientimet janë që të shkojmë të vetëm në zgjedhje”, ka thënë Abrashi.