Sanksionet e reja të SHBA ndaj kanalit rus RT dhe aktakuzat e ngritura tregojnë se ka ndryshuar mënyra e operacioneve ruse informative kundër shteteve armiqësore. Tashmë nuk janë në qendër lajmet e rreme të prodhuara nga vetë RT e Sputnik e që pastaj shpërndahen, sa është krijimi i mediave të rreme online ‘doppelganger’ (me emra që u gjasojnë mediave të vërteta) si dhe sponsorimi i “influenserave” dhe prodhuesve autentikë të përmbajtjes në TikTok, Instagram apo X/Twitter, e që janë nga shtetet e shënjestruara.
Shpesherë këta të fundit del që nuk e kanë ditur se po financohen nga Rusia sepse RT e ka fshehur origjinën e parave duke bërë kontrata me kompani amerikane që pastaj i kanë shpërndarë miliona dollarë si sponsorim komercial. E krejt çka këta “influenserë” autentikë duhej të bënin që t’i tërheqnin këto sponsorime ishte që të kishin narracione jo detyrimisht pro-ruse sa thjesht të dobishme për Rusinë në debatin e brendshëm në SHBA: psh dikush që thotë “pse po i çojmë armë Ukrainës?”
Në Kosovë dhe në hapësirat shqiptare, Rusia këto vite ka pasur interes psh. të nxisë alarme për luftë; ta nxisë urrejtjen ndëretnike; ta rrisë mosbesimin e Kosovës ndaj perëndimit; ta sabotojë çfarëdo marrëveshje me Serbinë nën patronatin e BE/SHBA. Me fjalë të tjera, menunë e sponsorimeve të mundshme e ka pasur të gjërë dhe të gatshme. Dhe pa dyshim se diku edhe e ka përdorur.