Ndryshon moti, në fundjavë rrebeshe shiu e borë

Prishtinë | 31 Mar 2021 | 21:25 | Nga Ekonomia Online

Ditët e para të muajit prill nisin me mot të ndryshueshëm.

Nga e premta me shi e bubullima, në fundjavë më ftohtë me shi e borë.

Njoftimi i plotë:

31.03.2021 – Pas një moti të qëndrueshëm dhe me temperatura më pranverore që patëm këtyre ditëve, në ditët e para të prillit parashihet mot më i ndryshueshëm. Mbetet ngrohtë edhe ditën e enjte, mirëpo nga dita e premte priten rrebeshe shiu të shoqërura edhe me bubullima, e nga dita e diel edhe temperaturat pësojnë rënie, e të reshurat e shiut mund të shndërrohen edhe në borë orëve të mëngjesit. Derisa në vise kodrinoro-malore priten vetëm reshje bore. Nga dita e hënë priten kthjellime, por se temperaturat mbeten të ulëta nga vlerat mesatare.

Cilësia e ajrit do të mbetet pranë vlerave mesatare dhe të pranueshme në ditët e ardhshme, vetëm orëve të mbrëmjes, gjatë periudhave të qetësisë që kalon në vlera të dobëta. E nga dita e shtunë, moti dinamik sjell më shumë qarkullim ajror e indeksi i cilësisë së ajrit mbetet më gjatë në vlera të pranueshme.

1.04 – Më ngrohtë, kryesisht me diell, pasdite me vransira të shpërndara.
2.04 – Mbetet ngrohtë, kryesisht me vransira. Pasdite priten rrebeshe të shpërndara shiu, me mundësi edhe për bubullima.
3.04 – Kryesisht me vransira, me rrebeshe shiu dhe bubullima orëve të pasdites. Në mbrëmje reshjet e shiut pritet të jenë më të qëndrueshme. Në vise kodrinoro-malore do të ketë edhe reshje bore.
4.04 – Më ftohtë, kryesisht vranët me reshje të dobëta shiu, e që në mëngjes do të shndërrohen edhe në borë. Në vise kodrinoro-malore vetëm reshje bore. Deri në mbrëmje reshjet pushojnë.
5.04 – Në mëngjes ngrica dhe kryesisht me vransira. Ditën vransirat shpërndahen, e në mbrëmje priten kthjellime.

Temperaturat minimale do të luhaten nga 4C deri në 6C, e ditën e diel pësojnë rënie edhe deri në 0C, e të hënën në -1C. Maksimalet shënojnë rritje deri në 18C ditën e premte, e të dielen zbresin edhe në 5C.
Do të fryj erë e lehtë dhe mesatare nga krahu verior 5-13m/s, e të shtunën me hove edhe deri në 15m/s.
Shtypja atmosferike në tendencë të rënies edhe nën vlera normale ditëve të fundjavës.

Të ngjashme