Në 14-vjetorin e Pavarësisë – Qytetarët të frustruar me stagnimin ekonomik e braktisjen e vendit

Prishtinë | 16 Shk 2022 | 15:39 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në prag të 14-vjetorit të Pavarësisë, Ekonomia Online ka marrë opinionet e qytetarëve se sa janë përmbushur pritjet e tyre.

Stagnimi ekonomik, papunësia, pensionet e vogla, ikja e të rinjve jashtë, e deri te shtrenjtimet e fundit enorme – sidomos e energjisë elektrike, janë disa nga shqetësimet dhe problemet kryesore që përmenden nga qytetarët.

Naim Mehmeti tha se as vitet e kaluara nuk kanë qenë “të ndritura”. Por, ai ka kritika sidomos për Qeverinë aktuale për ngritjen e çmimeve të energjisë dhe mosrritjen e pensioneve, për çka kishte premtuar. Thekson se premtimi i Kurtit ishte zbritja e çmimit të energjisë e jo shtrenjtimi.

“Pa kurrfarë subvencioni, pa kurrfarë të drejte, pa kurrfarë perspektive e sigurie. Siguria ushtarake dihet, po sigurim ekonomik nuk kemi, s’kemi. Pensionuarit i kanë lënë me 100 euro, 40 vjet përvojë pune – 100 euro. Rritja e energjisë elektrike nuk e ka vendin. Është gjendje serioze, gjendje drastike dramatike e popullit shqiptar në këtë kohë me hyp rryma. Ai (Kurti) ka thënë me zbrit rrymë, po me zbrit s’po e zbret, por së paku le të rrin ashtu”.

Në emër të 200 mijë pensionistëve, ky i moshuar i dërgoi një porosi kryeministrit Albin Kurti. Ai tha se pensionistët e kanë sjellë në pushtet dhe ata do ta heqin në pranverë.

“Pensionerat i kanë lënë me 100 euro. 40 vjet përvojë pune – 100 euro se nuk na njihet statusi. Albin Kurti ka thënë se ka me i heq kriteret. Nuk e heq kriteret na pensionerat e kemi pru dhe e heqim apet. Na e kemi pru, le ta shohin këtu. Ne 200 mijë pensionera prapë ka me shku te shpija, për uthulla në pranverë kismet”, ka thënë ai.

Sa i përket migrimit të popullit e sidomos i të rinjve, Mehmeti tha se ata po largohen për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike.

“Popullsia është mjerim me u largu prej shtetit, prej vendlindjes, është për të vajtuar është gjendje tragjedie. M’u largu sot prej vendit, prej atdheut prej shtetit të vet me shku me u bë shtetas të huaj, me fol gjuhën e huaj. Po largohen për shkak të gjendjes ekonomike, të pagave, për shkak se punë s’ka e siguri s’ka, subencionim s’ka, vullnet s’jep qeveria për asgjë. Vetëm se fjalë boshe na tha edhe askund ato, u avulluan krejt çka i tha”, tha Mehmeti.

E për Ibush Krasniqi, festa e Pavarësisë është e shenjtë, teksa i përmend vuajtjet e shqiptarëve për këtë ditë.

“Sa të vrarë, sa të ndjekur, sa të pushkatuar, sa të burgosur, sa të masakruar pa i pa askush vetëm një Zot e di çka ka vuajt shqiptari. Ka qenë me plot virtyte. Ka ngapak ngecje, por ato janë shumë të vogla. Në krahasim me arritjet e sukseseve të shtetit, të popullit e të universitetit, kjo është e shkëlqyeshme”, u shpreh Krasniqi.

Ndërsa rritja e çmimeve nuk i bën shumë përshtypje Krasniqit. Thotë se një gjë e tillë po ndodh në shumë shtete të botës.

“Ai që ka e paguan, ai që s’ka duhet t’i ndihmojmë të gjithë kapak. Tash jemi në kohën moderne, çdo person dihet kush ka, kush s’ka. Nuk duhet me bë tragjike këtë, në krejt Evropën është ngritur çmimi”, u shpreh ai.

Ai tha se ata që nuk kanë të ardhura ta paguajnë është keq por që sipas tij është një pakicë e vogël.

E për ikjen e të rinjve jashtë shtetit të Kosovës, Ibush Krasniqi i fajëson qeveritë e kaluara.

“Elitën duhet me e ruajt, me marr aparatin shtetëror parasysh që e kalon fakultetin e magjistraturën krejt me 10-she. Ata duhet me i ndalë. Evropa më së shumti qata po na i merr edhe si të shkojnë atje jetojnë si zotni ata. Është mjerim për neve, shumë ka vërejtje kapak edhe udhëheqësia jo e tashmja, po prej fillimit qe 20 e disa vjet. Gjithmonë elitën përpara e kanë ndalë populli për vete e ka ruajt, ndërsa ata të dobëtit asgjë nuk është edhe me shku, punojnë atje edhe jetojnë”, tha Krasniqi.

Këto 14 vite shtet për Begishe Rushiti janë mjaft të lumtura, pasi thotë se është fituar Pavarësia. Megjithatë ajo thotë se vështirësitë si shtet duhet tejkaluar së bashku. Ndërsa për rritjen e çmimit të energjisë, thotë se me një pension prej 100 euro nuk mund ta paguaj.

“Por tash ecuria ashtu siç e kemi dëshiru nuk është ka shkon, aq sa e kemi dasht dhe e kemi ëndërru ndoshta shumë për ma mirë. Por megjithatë unë shpresoj që do të bëhet mirë, normal që çdo fillim i ka vështirësitë e veta dhe ne s’mund të themi që jemi shumë herët”.

 “Nëse vërtetë ajo çka po flitet është, atëherë normal që s’mund ti ikim as ne si shtet, s’mund t’i ikim kësaj dhe duhet të ballafaqohemi edhe me të. Megjithëse për shtresën e mesme dhe shtresën pak edhe më ulët është vështirësi e madhe. Me pensione 100 euro s’mund ta paguajmë”, thotë Rushiti.

Të ngjashme