Në 2018-ën, MAShT-i përmbushi 13% më shumë objektivat e Planit Strategjik

Prishtinë | 22 Mar 2019 | 10:17 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), me mbështetje të GIZ-CDBE ka mbajtur Konferencën për Rishikimin Vjetor të Planit Strategjik të Arsimit të Kosovës 2018, raporton Ekonomia Online.

Ministri i MAShT-it, Shyqiri Bytyqi, ftoi akademikët e pranishëm që të japin kritikën e tyre në lidhje me punën e kësaj ministrie për vitin e kaluar.

Ai tha se janë zhvilluar diskutime të gjata me partnerë që qasja në menaxhimin e sistemit të arsimit të jetë qasje që ofron sukses.

“Planet vjetore i bazojmë nga plani strategjik 2017-2021. Sugjerimet që dalin gjatë rrugës i fusim në një plan vjetor dhe pastaj është koha të vlerësojmë sa kemi arritur”.

“Përtej objektivave që i kemi pasë në vitin 2018 ka filluar edhe vlerësimi i mësimdhënësve. Zhvillimi i mësimdhënësve ka vazhduar. Mësimdhënia dhe mësimënxënia është një angazhim i joni i vazhdueshëm”.

“Arsimimi dhe aftësimi profesional një objektivë tjetër që ne kemi vazhduar në 2018 me standarde të reja, me kurrikula dhe kjo bazë e 2018 do jetë shumë e mirë për 2019 për tregun e punës. Te arsimi i lartë ka vazhduar një angazhim i ynë që arsimi i lartë ta shohim si një kupolë se si duhet të jetë arsimi”.

“Angazhimi ynë dhe i imi si ministër ka qenë që të sigurojmë jo vetëm qëndrueshmëri e cilësi, por edhe mundësi për qytetarët të përfshihen në arsimim të lartë”.

Ferit Idrizi, zyrtar në MAShT, tha se në krahasim me vitin 2017, në vitin 2018 ka pasur ngritje 13 për qind të zbatimi i objektivave të planit strategjik.

Stergios Tragoudas, nga zyra e BE-së tha se e rëndësishme është rritja e cilësisë në arsim.

“Ne po punojmë bazuar në parimet e cilësisë dhe transparencës dhe për ne kjo është beteja më e rëndësishme në fushën e arsimit. E kemi pa vitin e kaluar që arsimi ka qenë prioritet. Qytetarët tuaj kanë deklaruar se arsimi është brenga e tyre e tretë”.

“Vetëdija po rritet çdo ditë dhe e di që ndryshimet nuk mund të ndodhin brenda natës sidomos në arsim. Do vazhdojmë me pjesën e dialogut jo vetëm me këto institucione por edhe me shoqërinë civile”.

Rrezearta Zhinipotoku – Behluli nga GIZ, tha se për dallim nga viti 2017, në 2018 arsimi ka dalë si prioritet i Qeverisë pasi është marrë parasysh kërkesa që të rritet buxheti për sistemin arsimor.

“Nëse shohim raportin e vitit të kaluar, vitin 2017 kemi pa që vetëm 52 për qind e projekteve të planifikuara nuk janë zbatuar, kryesisht për shkak të arsyeve buxhetore. Këtë vit e kemi një rritje buxhetore prej 12 për qind dhe uroj që Qeveria ta sheh arsimin si prioritet”.

“Gjatë prezantimit të Raportit të Vlerësimit të Planit Strategjik të Arsimit për vitin 2018, u dhanë të dhënat konkrete mbi zbatimin e planit”.

https://www.facebook.com/EkonomiaOnline/videos/332777174033711/

Të ngjashme