Në 2030-ën numri i të prekurve nga kanceri pritet të arrijë në 21.7 milionë

Prishtinë | 04 Shk 2017 | 12:55 | Nga

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) ka publikuar një raport ku argumentohet se diagnoza e vonë e kancerit çon në vdekjen e miliona personave që durojnë vuajtje të panevojshme dhe vdekje të parakohshme, dhe përpjekjet për të kapur këtë sëmundje më herët, duhen shtuar.

Në këtë raport që publikohet në Ditën Botërore të Kancerit, OBSh-ja thotë se duhen përmirësuar shanset e mbijetesës për pacientët e kancerit, duke siguruar se fokusi i shërbimeve shëndetësore do të jetë mbi diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjes në fazat e saj të hershme.

“Çdo vit, 14 milionë persona diagnostikohen me kancer dhe 8.8 milionë vdesin. Por kanceri nuk duhet të jetë më një dënim me vdekje. Nëse njerëzit janë më të ndërgjegjshëm për simptomat e kancerit, ata do të vijnë më shpejt në një qendër shëndetësore dhe do të diagnostikohen më shpejt,” shprehet dr. Etienne Krug, ekspert i OBSh-së për sëmundjet kronike dhe kancerin.

Sëmundja është përgjegjëse për thuajse 1 në 6 vdekje globalisht, sipas këtij raporti. Më shumë se 14 milionë persona preken nga kanceri çdo vit dhe ky numër pritet të rritet në 21.7 milionë deri në 2030.

Organizata Botërore e Shëndetësisë pranoi se sfidat janë më të mëdha në vendet më të varfra ku shërbimet diagnostikuese janë të rralla.

Agjencia e Shëndetit nxiti këto vende të kenë me prioritet “shërbimin bazik dhe me kosto të ulët të diagnozave dhe trajtimit të kancerit” duke shtuar se është e rëndësishme të reduktohet numri i rasteve ku pacientët paguajnë çdo kosto nga xhepat e tyre – një fenomen që shkakton edhe ndërprerjen e trajtimit. (Oranews)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme