Në 25-vjetorin e Marrëveshjes së Dejtonit, me të cilën iu dha fund luftës së Bosnjës, ndërmjetësuesit e atëhershëm amerikanë e evropianë, por edhe politikanët dhe analistët e tanishëm nga Ballkani janë pajtuar se përshpejtimi i procesit të integrimit të rajonit në Bashkimit Evropian kërkon presion ndërkombëtar, sidomos amerikan, dhe liderë të përgjegjshëm politikë të vendeve aspiruese.
Në konferencën virtuale të organizuar nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie Ndërkombëtare, ish-ministri i Jashtëm suedeze, Carl Bildt, ka thënë se Bashkimi Evropian dështoi të fliste me një zë derisa Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e morën lidershipin në vitin 1995, pasi lufta ua kishte marrë jetën më shumë se 100 mijë qytetarëve të Bosnjës.
“Ky lloj konflikti ishte i panjohur. Mendoj se nuk kishim njohuri për këso lloj konfliktesh. Mandej ishte folur shumë për shpërbërjen e Jugosllavisë, por askush nuk ishte përqendruar shumë. Amerikanët ishin të zënë me rënien e Bashkimit Sovjetik dhe me armët bërthamore. Gjermania po merrej me ribashkimin”, ka deklaruar Carld Bildt, ish-ministër i Jashtëm i Suedisë.
E Jim O’Brien, emisari i presidentit amerikan Bill Clinton për Ballkanin dhe avokati që kishte dokumentuar krimet në terren, ka thënë se Shtetet e Bashkuara ende nuk kishin strategji për Ballkanin, kur Jugosllavia nisi të shpërbëhej prej luftërave të nisura nga Serbia.
Me Bosnjën, që nuk po arrin të krijojë sistem unitar të qeverisjes, panelistët, përfshirë ish-emisarin evropian Volfgang Ishinger, mendojnë se duhet të ketë presion të ri të SHBA-së dhe BE-së për t’ia dhënë një shtytje të re integrimit të Bosnjës dhe rajonit në bllokun evropian.
Baronesha Arminka Heliq, britanikja me prejardhje boshnjake nga Dhoma e Lordëve e Mbretërisë së Bashkuar, mendon se paqja do të çimentohet vetëm nëse Bosnja, Kroacia dhe Serbia nënshkruajnë traktat paqeje, sikurse Gjermania e bashkuar dhe Polonia pas Luftës së Ftohtë.
“Disa liderë të vendeve fqinje ende mendojnë se kufijtë e Bosnjës janë të diskutueshëm. Unë mendoj se kjo është çmenduri. Kur keni një shtëpi, ju nuk ua jepni çelësin fqinjëve nëse jetoni brenda saj. Aq më pak kur fqinjët mendojnë si të hyjnë me forcë në shtëpinë tuaj”, ka thënë Arminka Heliq, deputete në Dhomën e Lordëve.
E deputetja boshnjake, Sabina Çudiq, u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që t’u bëjnë sa më shumë presion liderëve të rajonit për ta ndryshuar gjendjen. Ndërkaq Ishinger ka kërkuar që rajoni të trajtohet si tërësi nga Bashkimi Evropian.
Konferenca u mbajt në ditën kur Bosnja shënoi 25 vjet që kur më 1995, ish-kryetari serb Slobodan Millosheviq, ai kroat Franjo Tugjman dhe i Bosnjës, Alija Izetbegoviq, e nënshkruan në Paris marrëveshjen e ndërmjetësuar nga ish-presidenti amerikan Bill Clinton, ai francez Zhak Shirak, kancelari gjerman Helmut Kol, kryeministri britanik Xhon Mejxher, ai rus Viktor Çernomirdin, si dhe ai i Spanjës Filipe Gonzalez.