Numri i veteranëve të luftës në Kosovë ka shënuar rritje gjatë tre mujorit të parë të vitit 2020. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, nga 38 mijë e 232 veteranë sa ishin në janar të vitit të kaluar, në dhjetor të 2019 mbetën vetëm 38 mijë e 101.
Por ky numër është rritur përsëri në 38 mijë e 205 veteranë të cilët janë përfitues të skemës pensionale. Që i bie nga dhjetori i vitit të kaluar deri në mars të këtij viti janë shtuar në skemën pensionale për veteranët e UÇK-së edhe 104 persona.
Këto të dhëna janë bërë të ditura nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) e cila ka publikuar “Statistikat e Mirëqenies Sociale” për tremujorin e parë (TM1) 2020. Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, rezulton se: nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 24 198 familje me gjithsej 98 070 anëtarë, dhe nga skema për mbështetje materiale familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara kanë përfituar 2 358 familje.