Në 4 vjet, 10 mijë shqiptarë i refuzuan gjykatat, konfliktet i zgjidhën vetë

Prishtinë | 07 Kor 2017 | 20:13 | Nga

Gjatë katër viteve, rreth 10 mijë persona kanë preferuar të mos u drejtohen gjykatave për të zgjidhur konfliktet e tyre, por t’i zgjidhin përmes ndërmjetësimit.

Bëhet fjalë për mosmarrëveshje të tilla që nga mosrespektimi i kontratave të punës, për markat tregtare, deri tek çështjet me të dëmtuar akuzues kryesisht për veprën e shpifjes dhe rrahjes.

“Janë të pronave që janë me shumicë, pastaj për çështje tregtare, pune dhe civile. Ne jemi pjesë e Kodit të Procedures Civile dhe gjykatat duhet t’i orientojnë palët tek ndërmjetësimi para se të nisë procesi”, thotë Drita Avdyli, kryetare e Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësimit.

I tillë është edhe rasti i Anës nga Gjirokastra, e cila nuk iu drejtua gjykatës për të njohur atësinë e vajzës, që refuzohej nga babai biologjik.

Me vullnetin e saj, gruaja ka kërkuar ndërmjetësimin me ish-partnerin, i cili është bindur pas një letre të shkruar nga e bija.

“Pesë rreshta bënë që kjo gjë të zgjidhej me ndërmjetësim. Vajza i shkruante të atit të lutem më prano”, thotë Drita Avdyli.

Alarmi i Gjykatës së Lartë

Duke theksuar ndërmjetësimin si një nga alternativat që ndikojnë në uljen e fluksit të çështjeve në gjykatat shqiptare, kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori kujtoi se aktualisht stoku i dosjeve që presin për t’u gjykuar ka mbërritur në 19 mijë, prej të cilave 12 mijë janë civile.

Në kushtet kur po vonohet ngritja e organeve të reja të qeverisjes gjyqësore, zoti Zaganjori solli shqetësimin e funksionimit të kësaj gjykate pa kapacitetin e plotë lartë pa kapacitetin e plotë.

“Jemi 14 gjyqtarë nga 19 gjyqtarë që duhet të jemi. Por nga ana tjetër, 7 prej tyre u ka mbaruar mandati, kështu që jemi në një situatë jashtëzakonisht shumë problematike. Ne kemi trajtuar në vetëm një vit 8 mijë dosje”, thotë kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme