Kryeministri Ramush Haradinaj është kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës i vendosur për formimin e ushtrisë, pasi thotë se atje ka marrë mbështetjen e SHBA-së për këtë proces. Ndërkohë sot në Komisionin për Mbikëqyrjen e FSK-së do të shqyrtohen tri projektligjet e miratuara nga Qeveria e Kosovës, të cilat do t’i hapin rrugë ndryshimit të mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, shkruan sot “Zëri”.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shprehur i bindur se formimi i ushtrisë së Kosovës do të ndodhë, megjithëse nuk ka dhënë ndonjë afat kohor. Ai dje ka thënë se në takimin me sekretarin e amerikan të Mbrojtjes, James Mattis, ka marrë përkrahjen e SHBA-së për formimin e ushtrisë së Kosovës.
“Janë dy mënyra për t’i përfunduar punët, sekuencat ose tërësia. Ne me Mattis nuk kemi folur për asnjë sekuencë, por për tërësinë, pra të drejtën e Kosovës për ushtrinë pa asnjë kufizim e kjo nënkupton që ushtria jonë i ka të drejtat e veta”, ka theksuar Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë. Ai është shprehur i bindur se formimi i ushtrisë është punë e kryer.