Trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp, vlerëson se Paris Saint-Germaini është favorit për të fituar përballjen e së martës mbrëma në “Anfield Road”, por ai insiston se skuadra e tij nuk është aty për t’u dorëzuar. Liverpooli e pret Paris Saint-Germainin në ndeshjen e xhiros së parë të Grupit C të Ligës së Kampionëve.
Liverpooli ka nisur furishëm stinorin, duke fituar pesë ndeshjet e para në Premier League. Kjo ka shtyrë bastoret që Liverpoolin ta bëjnë favorit në përballjen me Parisin të martën mbrëma, transmeton “Koha Ditore”. Mirëpo Klopp ka insistuar se Parisi është favorit dhe ka shtuar se është një ekip i ndërtuar me synim për të fituar Ligën e Kampionëve.
Parisi po ashtu ka nisur furishëm stinorin duke shënuar 17 gola dhe pranuar vetëm katër në serinë prej pesë fitoreve rresht dhe për këtë me të drejtë pritet një përballje me shumë gola e shumë raste.
“Parisi është një prej favoritëve për të fituar garën. Si mund të jemi ne favorit në këtë ndeshje? Të gjithë e dinë për kualitetin e Parisit, një skuadër që është ndërtuar për të fituar Ligën e Kampionëve. Me lojtarët dhe trajnerin që ka, të gjithë janë bërë bashkë për të shkuar sa më larg që të jetë e mundshme. Mirëpo, ne luajmë në ‘Anfield’ dhe është një avantazh që synojmë ta shfrytëzojmë. Na duhet çdo ndihmë që mund ta marrim”, ka deklaruar Klopp në konferencë për media të hënën. “Nuk mund vetëm të mbrohesh apo vetëm të sulmosh. Duhet të gjesh një balancë”.
Grupi C i Ligës së Kampionëve është vlerësuar si më i vështiri, pasi pos Liverpoolit e Parisit në të është edhe skuadra italiane Napoli, ndërsa si autsajdere është kampionia e Serbisë, Cërvena Zvezda.