Në Armeni mbahen zgjedhjet parlamentare

Armeni | 02 Pri 2017 | 13:26 | Nga

Në Armeni sot mbahen zgjedhje parlamentare, të parat pas reformave kushtetuese që u zbatuan para dy viteve, që parashohin vendosjen e sistemit parlamentar.

Komisioni Qendror Zgjedhor i Armenisë njoftoi se sot në mëngjes janë hapur vendvotimet në mbarë vendin pa ndonjë problem të theksuar dhe se votuesit sot zgjedhin përbërjen e re të Parlamentit që numëron gjithsej 101 deputetë.

Në garën zgjedhore marrin pjesë gjithsej nëntë parti politike dhe koalicione, ndërsa anketat parazgjedhore favorizojnë Partinë Republikane në pushtet të Armenisë, në krye të së cilës është presidenti i vendit Serj Sarkisyan.

Rivali më i madh republikanëve duhet të jetë koalicioni Tsarukyan të cilin e udhëheq njëri nga biznesmenët më të pasur dhe ish-kampion në mundje Gagik Tsarukyan.

Në vendin e tretë është koalicioni i kryesuar nga ish-presidenti armen Levon Ter-Petrosyan.

Autoritetet e Armenisë në vitin 2015 zbatuan reforma kushtetuese të cilat parashohin që pas skadimit të mandatit të presidentit aktual Sarkisyana në vitin 2018 të kalohet në sistem parlamentar të udhëheqjes së shtetit, që do të thotë se presidenti i vendit mbetet pa kompetenca të mëdha të cilat do t’i barten qeverisë dhe kryeministrit.

Presidenti do të zgjidhet në zgjedhje indirekte në Parlament, e jo në zgjedhje direkte si deri tani. Opozita ashpër e kritikon këtë reformë dhe pohon se qëllimi i vetëm i tyre është që Sarkasyan pas skadimit të mandatit të dytë presidencial të ndryshojë zyrën dhe të mbajë pushtetin në vend.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme