Një numër i municioneve të Luftës së Dytë Botërore shpërtheu, duke i vënë zjarr një pylli rreth 65 kilometra në jug-perëndim të Berlinit.
Zjarrfikësit fillimisht nuk mundën të hynë në zonën e prekur për shkak të municioneve në tokë, teksa zjarri në qytetin Treuenbrietzen filloi të enjten pak pas mesditës.
“Municioni i mbetur është i ndarë në të gjithë zonën dhe sasia totale e materialeve të pashpërthyera nuk dihet” tha Raimund Engel, administrator i krizave te zjarrit për shtetin e Brandenburgut.
Të paktën 550 zjarrfikës, policë dhe anëtarë të ushtrisë u thirrën për t’i vënë nën kontroll flakët, së bashku me tre helikopterë.
Sipas autoriteteve gjermane, rreth 400 hektarë pyje u dogjën gjatë shpërthimit të këtij zjarri.