Shumica e njerëzve që hyjnë në territorin e Britanisë së Madhe nga e hëna do të duhet të vetizolohen për dy javë pas hyrjes në fuqi të masës së re, e cila do të vlejë për ata që vijnë me aeroplan, tren dhe anije.
Kjo masë do të vlejë edhe për banorët e Britanisë, edhe për vizitorët dhe me të synohet parandalimi i një vale të dytë të infektimeve. Sidoqoftë, disa persona do të jenë të përjashtuar nga karantina.
Sektori i aviacionit ka frikë se do të dëmtohet rëndë nga vendimi për karantinë dyjavore. Disa kompani ajrore kanë marrë masa ligjore kundër qeverisë, duke e cilësuar si jo të duhur dhe të padrejtë këtë vendim.
Sidoqoftë, ministri i shëndetësisë, Matt Hancock, tha se rregullat e reja kanë kuptim, sepse rastet e infektimeve nga jashtë po rriten në kohën kur rastet e brendshme po shënojnë ulje, shkruan “The Guardian”.
Udhëtarët do të jenë të detyruar të ofrojnë hollësi të udhëtimit dhe ta tregojnë adresën ku do të vetizolohen. Ata mund të dënohen me një mijë funte, nëse i shkelin rregullat.