Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku është bërë shqyrtimi i parë i Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017.
Me këtë rast, kryeministri Mustafa theksoi se ky buxhet është refleksion i reformave dhe i avancimit të parametrave makroekonomik, refleksion i përmirësimit të ambientit në përgjithësi të të bërit biznes në Kosovë, që u konfirmua edhe me raportin e fundit të Bankës Botërore.
“Përmes këtij buxheti, për herë të parë prej mbi 2 miliardë euro, Qeveria synon ta rris investimin në fushën kapitale në mbi 700 milionë euro ose mbi 45 për qind në vitin e ardhshëm, në krahasim me këtë që kemi pasur këtë vit. Ne vlerësojmë se këto investime do të ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejt në rritjen ekonomike të vendit”, tha ndër të tjera kryeministri Mustafa.
Fjala e plotë e kryeministrit Mustafa:
Qeveria e Republikës së Kosovës e ka miratuar këtë buxhet para një kohe, kemi trajtuar të gjitha kërkesat zhvillimore dhe kërkesat tjera, në mënyrë që ato t’i mbështesim përmes këtij buxheti. Si kryeministër i vendit, vlerësoj se ne kemi arritur që Republikës së Kosovës në vitin 2017 t’i ofrojmë një buxhet, i cili siguron zhvillim dhe i cili reflekton në mënyrë të drejtpërdrejt programin tonë qeveritar, programin e koalicionit qeveritar, si përkushtim tonin të përbashkët për zhvillimin e vendit, si përkushtim për rritjen ekonomike, për krijimin e vendeve të reja të punës, për mirëqenien sociale dhe po ashtu edhe për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit.
Ky Projektligj, po ashtu, u tha edhe nga ministri i Financave, është rezultat i një bashkërenditje të përbashkët me Fondin Monetar Ndërkombëtar, por edhe me institucionet tjera financiare ndërkombëtare, në mënyrë që të krijojmë kushte të qëndrueshme buxhetore dhe fiskale, të sigurojmë rritje ekonomike në të ardhmen, të shfrytëzojmë fondet që na i akordojnë institucionet financiare ndërkombëtare dhe të cilat fonde do të orientohen për krijimin e një infrastrukture, që mundëson zhvillim ekonomik.
Unë vlerësoj se puna dyvjeçare e këtij koalicioni ka dhënë rezultate konkrete në përmirësimin e aktivitetit ekonomik në vend.
Në vitin e kaluar kemi pasur një rritje ekonomike prej 4.1 për qind dhe këtë vit presim që rritja ekonomike të jetë më e lartë dhe po ashtu planifikojmë rritje edhe më të lartë ekonomike në vitin 2017.
Kjo rritje ekonomike prej 4.1 për qind e realizuar deri më tani, është mbi rritjen ekonomike të vendeve në regjion dhe po ashtu është më e lartë se rritja ekonomike në vendet e Bashkimit Evropian, mirëpo gjithmonë pa e pasur parasysh bazën zhvillimore të atyre vendeve, e cila është e pakrahasueshme me bazën zhvillimore të vendit tonë.
Po ashtu, mund të them se indikatorët zyrtarë statistikorë flasin për rënie të normës së papunësisë, që është e rëndësisë shumë të madhe për ne. Mirëpo, duhet të nënvizojmë se edhe përkundër kësaj, të gjithë ne jemi të vetëdijshëm se duhet të punojmë më shumë për tërheqjen e kapitalit të jashtëm, për investime private, si dhe investime publike të cilat krijojnë infrastrukturë për investime private dhe punësim dhe lehtësojnë komunikimin, ulin koston e qarkullimit të mallrave dhe transportit dhe e bëjnë vendin tonë më atraktiv për investime të jashtme.
Me këtë dëshiroj të them se ky buxhet është refleksion i reformave dhe i avancimit të parametrave makroekonomik, është po ashtu refleksion i përmirësimit të ambientit në përgjithësi të të bërit biznes në vendin tonë, i cili ambient u konfirmua edhe me Raportin e fundit të Bankës Botërore, që theksoi se Kosova ka bërë progres sa i përket kësaj.
Përmes këtij buxheti, për herë të parë prej mbi 2 miliardë euro, Qeveria synon ta rris investimin në fushën kapitale në mbi 700 milionë euro ose mbi 45 për qind në vitin e ardhshëm, në krahasim me këtë që kemi pasur këtë vit. Ne vlerësojmë se këto investime do të ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejt në rritjen ekonomike të vendit. Rritja e investimeve kapitale, siç u tha, do të përkrahet nga huamarrja, por rritja e bruto produktit vendor ose GDP-së, është mjaft e lartë, apo dyfish më e madhe sesa borxhi publik, prandaj kjo situatë në asnjë rast nuk e rëndon ngarkesën e bruto produktit vendor me borxhin publik, sepse Kosova edhe ashtu mbetet vendi me nivelin më të ulët të borxhit, ose të pjesëmarrjes së borxhit në bruto produktin vendor.
Po ashtu, ky buxhet ruan nivelin e deficitit brenda rregullave fiskale, përkatësisht nën rregullën fiskale prej 1.5 për qind, dhe ne kemi hapësirë edhe më të madhe të këtij deficiti, që është plotësisht në harmoni me kriteret që para nesh i ka shtruar Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Çështja e zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të reja të punës është dhe mbetet prioritet i kësaj Qeverie, prandaj konsideroj se pas miratimit të këtij buxheti, Republika e Kosovës do të ketë edhe një potencial jashtëzakonisht të rëndësishëm të përshpejtimit të zhvillimit ekonomik të vendit.
Të nderuar deputetë,
Masat e reformave fiskale si dhe politikat tjera ekonomike që kemi ndjekur, përfshirë edhe faljen e borxheve, kanë ndikuar që të kemi një rritje konstante të të hyrave tatimore dhe të hyrave jo tatimore. Këtë vit do ta përfundojmë me rritje substanciale të të hyrave tatimore dhe atyre jo tatimore, dhe presim që të kemi rritje më të lartë në vitin 2017. Kjo flet se politikat fiskale janë bërë të përshtatshme për zhvillimin e biznesit, se vazhdimisht po ngritet efikasiteti i administratës doganore dhe tatimore, se po ulet evazioni fiskal përfshirë edhe veriun e vendit, dhe se kemi filluar t’i zgjidhim problemet me të cilat ne kemi hasur deri më tani sa i përket evazionit fiskal.
Ajo që duhet të punojmë më tutje është që të bashkërendisim procedimin më të shpejtë të procesit të privatizimit, sepse është një proces që duhet të kryhet shumë më shpejt sesa po bëhet deri më tash, të punohet në zgjidhjet e lëndëve që trajtohen nga Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme për privatizimet dhe kthimin e këtyre mjeteve në buxhet të destinuara për zhvillim.
Si kryeministër jam i bindur se ky buxhet arrinë objektivat e veta në shumë fusha. Veçmas buxheti synon dhe siguron më shumë mjete për të mbështetur investimet që kemi trashëguar, sidomos ato të autostradës për Shkup. Siguron mjete për investime të reja në infrastrukturë karshi zotimeve tona të marrëveshjeve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor që ka të bëjë edhe me rikonstruimin e hekurudhës, përkrahë bujqësinë si një prej objektivave zhvillimore të vendit, përkrahë forcimin e institucioneve të ligjit dhe shtyllës së drejtësisë, hapë mundësi të reja në shëndetësi, ruan trendin e rritur të investimeve në arsim, nxitë sektorin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme si bartëse kryesore të zhvillimit ekonomik dhe të punësimit dhe po ashtu ky buxhet rregullon proporcionet themelore ndërmjet investimeve kapitale, ndërmjet pagave dhe mëditjeve si dhe transfereve sociale.
Buxheti, po ashtu, ka pasur një konsideratë të veçantë për nevojat e komunave, përkatësisht pushtetit lokal, që të mbështesë zhvillimin e infrastrukturës rrugore, shëndetësore, arsimore, sportive dhe kulturore në nivel lokal. Ky buxhet, po ashtu, do të përcillet me efektet pozitive të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, të cilat efekte do të jenë shumë më të mëdha sesa që janë efektet nga disa ngarkesa doganore për të cilat ne do të heqim dorë sipas kësaj marrëveshje, por në përgjithësi efekte e MSA-së në buxhet do të jenë efekte pozitive afatgjate sepse ato ndërlidhen me zhvillimin ekonomik dhe me sigurimin e bazës më të fortë zhvillimore në të ardhmen, që është bazë e veçantë e buxhetit, që nuk ndërlidhet me një buxhet shpenzues por me një buxhet që ka karakter zhvillimor.
Unë kërkoj nga ju që të përkrahni këtë buxhet, ta aprovojmë dhe të fillojmë sa më shpejt me implementimin e tij.
Faleminderit!