Për vrasjen e 18-vjeçarit në Podujevë gjithsesi që kishte interesim të publikut, sepse në radhë të parë ishte fëmijë jetim dhe përballë kishte një grup të lidhur me pushtet e sistem të drejtësisë.
Ndërsa interes publik ishte publikimi i videos e cili tregoi dhe shpartalloi të gjitha pistat e hetimeve dhe dyshimeve. Asgjë të keqe nuk kishte në publikimin e videos, edhe pse ajo video do të duhej të bëhej publike nga media serioze dhe që do të përcillej edhe me komente nga ekspert të ndryshëm. Në këto raste realisht sakrifikohet etika, por kjo bëhet vetëm për interes të një çështjeje tejet delikate dhe të ndjeshme.
Po më bëjnë përshtypje komentet, opinione e vlerësime të ndryshme nga komuniteti i gazetarëve, ekspertëve dhe atyre të fushës së sigurisë, mbi publikimin e videos, ku shihet rrahja brutale dhe vdekjeprurëse e 18-vjeçarit nga Podujeva, Lulzim Fejzullahut.
Në librin tim të fundit “Mediet, etika, raportimet për situatat e ndjeshme, hetimet dhe nocionet juridike në gazetari” e kam sqaruar më gjerësisht interesimin e publikut dhe interesin për publikun në aspektin gazetaresk.
Në rastin e vdekjes së 18-vjeçarit interesim i publikut është vetë një fëmijë jetim dhe i pa krahë, përballë një grupi problematik dhe të njohur nga policia e gjykata, thënë më saktë të amnistuar nga këto dy institucione.
Ndërsa interes për publikun, pastaj është videoja e cila demaskoi të gjitha pistat e hetimeve, që si duket janë dhënë qëllimisht me kahje të caktuar gabimisht dhe në drejtime të kundërta, dhe në dëm të tashmë të 18-vjeçarit të vdekur.
Në raste të tilla e sakrifikojmë Etikën, për një interes të caktuar dhe këtë e bëjmë me qëllim pozitiv sepse dëshirojmë të tregojmë se jemi me të dobëtin dhe të vërtetën, që në këtë rast ishte një djalë jetim që vdiq si pasojë e rrahjeve brutale dhe të dhunshme.
Ndoshta publikimi i videos do të duhej të bëhej nga media serioze dhe që kanë ekip dhe ekspert që do jepnin edhe komente për rastin dhe pamjet brutale të rrahjes së 18 vjeçarit.
Pamjet e vrazhda dhe të rënda mund të jenë shqetësuese dhe stresuese për publikun, por media ka presion nga publiku, që të botojnë edhe raste të tilla, që sqarojnë gjithçka, sidomos aty ku tentohet të shitet mjegull në publikun e gjerë.
Pra media dhe ata që e botuan videon, kanë bërë mirë sepse tashmë pamjet tregojnë shumëçka, kjo nuk vlen edhe për rrjetet sociale, ku dominon fjalori emocional dhe ka paragjykime ekstreme.
Tani pritet të ndryshojnë veprimet, sidomos Prokuroria, e cila e ka mundësinë, që të përmirësojë gabimin e policisë, gjatë fazës së ngritjes së aktakuzës.
Publiku sigurisht që do të njoftohet edhe ditëve në vazhdim sepse ka organizata që merren ekskluzivisht me monitorimin e seancave gjyqësore.
Për rastet e tilla të ndjeshme më herët ka reaguar edhe KMSHK duke kërkuar nga mediet që në situata të tilla gazetarët dhe mediat të kenë kujdes, në mënyrën se si raportojnë dhe çfarë i ofrojnë publikut.
Sipas Kapitullit VI të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, trajtimi i rrëfimeve për tragjeditë duhet të zhvillohet me kujdes dhe vetëm kur ka interes të lartë publik mbi çështjen. Nëse interesi publik është i lartë, atëherë ndaj të gjithë të prekurve nga tragjedia duhet pasur qasje mirëkuptimi, mbrojtje të privatësisë, mbulim të fytyrës dhe diskrecion.
Ndryshe ka disa raste ku sakrifikohet Etika për interes të publikut dhe rastin më të freskët e kemi mbytjen e djaloshit trevjeçar nga Siria, Ajlan El Kurdi, që u mbyt në brigjet e Turqisë në vitin 2015.
Ajo foto ishte rëndë në aspektin etik, por bëri bujë dhe pushtoi zemrat e miliona njerëzve, duke kritikuar qëndrimet e liderëve europian rreth çështjes së emigrantëve.
Ajlan El- Kurdi, ishte trevjeçar ndërsa bashkë me të u mbyt edhe vëllau i tij më i madh, Galib El-Kurdi.
Ata vdiqën në tentativë për të kaluar Mesdheun, derisa bota u shtnag nga fotoja e realizuar nga fotografja Nilüfer Demir.
(Autori është ligjërues në degën Media dhe Komunikim në UBT)