Përfundimisht ekspertiza për vdekjen e Astrit Deharit do të kryhet në Zvicër, raporton Koha.net.
Prokuroria e Shtetit i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së familjes Dehari, e cila kishte zgjedhur që ekspertizën ta bëjë Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore në Lausanne të Zvicrës.
Zyrtarë për media të Prokurorisë kanë konfirmuar për KTV-në se Prokuroria është duke i përgatitur të gjitha dokumentet e nevojshme për t’i dërguar për super ekspertizë në shtetin e Zvicrës, ashtu siç ka kërkuar familja Dehari.
Përbërja e kaluar e Kuvendit të Kosovës kishte miratuar si rekomandim rezolutën e propozuar, sipas së cilës, ekspertiza do të kryhej në një vend të BE-së ose në SHBA.
Qeveria e kaluar e refuzoi kërkesën, duke thënë se Zvicra nuk është vend i BE-së.
Por, ministri aktual i drejtësisë tregon se qeveria ka kryer anën ligjore dhe prandaj ai i ka dorëzuar të gjitha shkresat e nevojshme te kryeprokurori.
Abelard Tahiri thotë se për këtë, ai dhe kryeministri Ramush Haradinaj janë takuar edhe me ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, për të marrë garanci për institutin e zgjedhur nga familja Dehari.
Astrit Dehari ka vdekur nëntorin e vitit 2016, e sipas institucioneve ligjore të Kosovës, ai kreu vetëvrasje, version të cilin familja e tij dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk e pranuan asnjëherë.