Ka shumë raste në politikë apo në beteja të tjera ku për t’u tërhequr duhet më shumë kurajë, se sa të ecësh përpara. Protesta e opozitës dhe kërcënimi i saj për të mos hyrë në zgjedhje është saktësisht një nga këto raste. Partia Demokratike dhe aleatët e saj janë tashmë në pikën ku tërheqja është e pamundur e kësisoj, Shqipëria ose do të mbajë zgjedhje të njëanshme pa opozitën, zgjedhje ku do të marrë pjesë vetëm Partia Socialiste me aleatët e saj, ose do të kemi zgjedhje në të cilat Edi Rama nuk do të jetë kryeministër.
Situata politike është e tensionuar, negociatat vazhdojnë pa bisedime, secili pret duke menduar se fitimi i kohës është në favor të tij. Një luftë e egër, e pamoralshme në bllokun e shumicës sidomos, zhvillohet nëpërmjet atyre që quhen proxy, pra njerëz dhe mjete, media, analistë, politikanë, të cilët zyrtarisht nuk përfaqësojnë qëndrimin e partive apo grupeve politike në luftë por janë pjesë themelore e tyre. Një pjesë e kësaj armate proxy tërë kohës sulmon opozitën duke përdorur terma dhe prodhuar narrativë edhe më të ashpër apo ulët se sa ajo e vetë qeverisë.
Pavarësisht të gjithave, pas ditësh ose edhe orësh situata do të bëhet më e qartë. Çdo zgjidhje që do t’i jepet kësaj gjendjeje tashmë të rënduar nga lufta e ashpër politike dhe nga kriminalizmi domethënës i qeverisjes, ku prej kohësh tonelata me drogë zbulohen përditë, dhe ku mjaft deputetë dhe zyrtarë të tjerë të lartë janë subjekte të ligjit të dekriminalizimit, do të ishte problematike. Secila nga këto zgjidhje me kombinacione të ndryshme, koalicioni pa Ramën kryeministër dhe me qeveri teknike do ta çonte vendin në zgjedhje të pranueshme, por do ta mbante të hapur konfliktin apo luftën e egër politike. Ndërsa zgjidhja tjetër ku PS hyn në zgjedhje e vetme me Ramën kryeministër do të ishte më e keqja, e cila jo vetëm do ta mbante konfliktin politik hapur, por do ta bënte atë shumë më të ashpër në kushtet kur edhe legjitimiteti i zgjedhjeve do të ishte i rrënuar. Në qoftë se rasti i parë do të prodhonte zgjedhje dhe qeveri me legjitimitet pa e zbehur konfliktin e egër politik, duke pritur një ditë tjetër lufte, rasti i dytë do të ishte dramatik sepse konflikti do të vinte duke u rritur nga dita në ditë dhe legjitimiteti i zgjedhjeve do të ishte shkatërruar.
Ideja se kërkesa e opozitës është ekstreme, jo demokratike, apo i hap rrugë një precedenti sipas të cilit edhe PS nuk hyn në zgjedhje është thjesht qesharake. Situata është e paprecedentë, opozita e sotme ka hyrë në zgjedhje në vitin 2000 kur vendi kishte tension edhe më të lartë, në vitin 2001 apo 2003 kur koalicioni në pushtet ishte shumë më i gjerë se sa tani dhe kur në zgjedhje përfshihej drejtpërdrejtë edhe policia. Megjithëse koalicioni ishte shumë i fuqishëm dhe agresiv, megjithëse policia ndërhynte në zgjedhje opozita nuk bojkotonte sepse sistemi i jepte mundësinë e daljes përballë, e mbrojtjes së votës ndonëse në kushte të pabarabarta.
Tani kur është ndërtuar nëpërmjet pushtetit politik një sistem i hierarkisë sociale, ku bosë të rëndësishëm përdorin burimet e shtetit dhe kur ky sistem ka krijuar një marrëdhënie padron-klient që nis nga struktura të larta shtetërore dhe zbret deri tek individët në fshatra, kur mijëra tonë drogë kapen çdo ditë dhe kur njerëz nga bota e krimit janë brenda pushtetit politik, është e pamundur t’iu dalësh përballë, është e pamundur të luftosh për të mbrojtur votën. Kësisoj ky argument nuk ka asnjë vlerë.
Bojkotimi i zgjedhjeve është një gjë e përhapur në mjaft vende kur është e pamundur të mbahen zgjedhje. Dhe në këto vende qeveritë vendosin të hyjnë të vetme. Në shkencat politike njihen më shumë se 170 raste të këtyre bojkotimeve dhe në mbi 80 për qind të këtyre rasteve konflikti është rritur dhe qeveria ka pasur probleme të thella me legjitimitetin dhe ka rënë. Në 20 për qind të rasteve të tjera qeveria ka mundur të konsolidohet përmes represionit. Në Peru në vitin 2000, Presidenti Alberto Fuxhimori i cili kishte 10 vjet në pushtet, doli i vetëm në zgjedhje teksa kandidati i opozitës Alejandro Toledo i bojkotoi ato. Pas zgjedhjeve konflikti u bë më i madh edhe Fuxhimori u largua.
E njëjta gjë ka ndodhur afërsisht në Jemen në vitin 1997, në Gana në 1992. Në Bangladesh në vitin 1996, në Haiti në 2000 etj. Në të gjitha rastet qeveria nuk ia ka dalë ta mbajë pushtetin. Profesoresha e shkencave politike Emily Beaulieu që ka studiuar thuajse të gjitha rastet e bojkotimit të zgjedhjeve vëren se janë dy llojet e sjelljeve të partive që bojkotojnë. Njëra është sjellja gandiane ku bojkotohet paqësisht dhe nuk ushtrohet dhunë me armë, protestat janë përgjithësisht pa dhunë. Lloji tjetër i sjelljes është ai që quhet ‘frikëpërhapës”, ku opozita ndërton milici dhe nis një revoltë të dhunshme. Sipas Beaulieu në shumicën e rasteve protestat gandiane ia kanë dalë pas bojkotit të gërryejnë qeveritë.
Në qoftë se kryeministri Rama do të vendosë të hyjë i vetëm në zgjedhje, edhe duke menduar se opozita mund të jetë partia e Topit, Blushit apo Bojaxhiut ai do të duhet të njohë historinë e këtyre zgjedhjeve të njëanshme dhe të dijë të lexojë nëse ka legjitimitet apo jo. Arthur L. Stinchcombe është ndoshta një nga autorët më të njohur që ka studiuar se çfarë është legjitimiteti dhe si fitohet ai. Ai thotë se asnjë qeveri nuk ia del të rrijë në pushtet pa të. Ai i kushton një rëndësi të madhe edhe doktrinës së legjitimitetit.
Sipas tij, funksioni bazë i doktrinës së legjitimitetit dhe normave që burojnë nga ajo është të krijojë gatishmëri të qendrave të tjera të pushtetit për të mbështetur veprimet e një njeriu që ka një të drejtë të caktuar. Me fjalë të tjera duhet që në mënyrë të lirë, jo të blerë nga qeveria dhe nën presionin e saj, qendrat e tjera të pushtetit të përkrahin aksionet e qeverisë. Pra duhet që jo vetëm publiku por edhe autoritetet morale në shoqëri, interpretuesit dhe studiuesit e ligjit, ata të fesë, gazetarët, akademikët etj., të miratojnë veprimet e qeverisë.
Fakti që qeveria shqiptare e dalë nga një palë zgjedhje të njëanshme pa opozitën mund ta blejë këtë legjitimitet nuk tregon se ajo e ka atë. Beaulieu thotë se edhe në vende të tjera qeveria e ka blerë por nuk ia ka dalë dot. Opozita zgjidhet nga njerëzit. Në qoftë se njerëzit që mbështesin PD nuk dalin në zgjedhje atëherë Rama është dërrmuar. Në qoftë se votuesit e PD dalin në zgjedhje dhe ndëshkojnë PD për aktin e bojkotit dhe shumë gjëra të tjera për të cilat e akuzon PS dhe votojnë Topin apo Blushin atëherë PD shkrihet. Është e gjitha kaq e thjeshtë. Për shkak se opozitat e emëruara në Gambia, Bregun e Fildishtë, Bangladesh etj., nuk janë opozita e vërtetë, kanë rënë qeveritë ose kanë humbur legjitimitetin.
(Autor: Fitim Zekthi)