Arlind Ajeti është aktivizuar në pjesën e dytë te Crotone që të shtunën barazoi 1:1 ndaj Atalantas. Ajeti u fut në lojë në minutën e 68-të, por në pozitën e mesfushorit defensiv.
Për paraqitjen e tij mori lëvdata nga trajneri i Crotones, Walter Zenga. Ajeti zakonisht luan si mbrojtës i qendrës, shkruan “Koha Ditore”.
“E kemi provuar gjatë stërvitjeve me Ajetin si mesfushor i qendrës. E kreu detyrën me sukses, por më vjen keq që nuk fituam ndeshjen”, ka thënë Zenga. Te Atalanta në portë ishte Etrit Berisha.
Ndërkohë Elseid Hysaj u paraqit gjatë gjithë takimit te Napoli që mposhti Lazion me rezultatin 4:1. Te Lazio në portë ishte Thomo Strakosha. Napoli është në pozitën e parë me 63 pikë.
Gjatë gjithë takimit te Bologna që u mposht të dielën nga Interi (2:1) u aktivizua Blerim Xhemaili.
Te Udinese, që pësoi disfatë nga Torino (2:0), deri në minutën e 67-të luajti mesfushori Valon Behrami. Këto ndeshje i kanë takuar xhiros së 24-t të Serie A të Italisë.