Në dhjetë fshatra të Malishevës ka persona të infektuar me Coronavirus

Prishtinë | 09 Pri 2020 | 15:09 | Nga Ekonomia Online

Kosova tani numëron 224 raste pozitive me sëmundjen e COVID-19 me 6 raste të vdekjes, të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 37. Nga rastet e konfirmuara pozitive, sipas komunave, prin Malisheva me 66 raste. Sipas të dhënave, në këtë komunë janë prekur dhjetë fshatra, ndërsa ka pasur katër burime të infeksionit. Por, Malisheva mbrëmë shënoi viktimën e parë nga koronavirusi. Megjithkëtë, vizitat e krerëve të shtetit në Malishevë në këtë kohë të virusit po cilësohen si të vonuara nga ana e zyrtarëve të kësaj komune.

Një 66 vjeçare nga kjo komunë ndërroi jetë si pasojë e prekjes nga Covid-19. Ajo tash e disa ditë po trajtohej në kujdesin intensiv të Klinikës Infektive të QKUK-së.

Detaje për këtë rast dhe për gjendjen e pacientëve që gjenden në Malishevë ka dhënë sot drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Liridon Hoti.

“Që nga rasti i parë me datë 14, thuajse çdo ditë kemi pas raste të tjera të infektimit. Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka shkuar në 66, 7 i kemi të shëruar dhe një viktimë. Në dhjetë fshatra kemi infektive.  Shumica nga të infektuarit janë mirë, në përjashtim të disave që janë në një moshë më të shtyrë”, ka deklaruar për Express drejtori i shëndetësisë në Malishevë, Liridon Hoti.

Ai ka deklaruar se vizitat e krerëve të Qeverisë së Kosovës janë të vonuara

Të ngjashme