Në ditën e zgjedhjeve serbe, ambasadori i Gjermanisë dhe ajo e Francës vizitojnë Merdaren

Prishtinë | 03 Pri 2022 | 14:25 | Nga Ekonomia Online

Një numër i madh i qytetarëve serbë kanë kaluar kufirin Kosovë-Serbi mëngjesin e sotëm, pasi kanë udhëtuar në Serbi ku po mbahen zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare.

Shkaku i lëvizjeve të shpeshtuara nëpër pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, në Merdare ka shkuar ambasadori gjerman, Jorn Rohde bashkë me ambasadoren franceze, Marie-Christine Butel.

Përmes një postimi në ‘Twitter’, Rohde ka thënë se ka vërejtur bashkëpunim të mirë mes autoriteteve të Kosovës dhe të Serbisë për t’ua mundësuar votuesve serbë të shkojnë për të votuar atje.

“Së bashku me Ambasadoren e Francës në Kosovë vizituam pikën kufitare në Merdare. Ne atje pamë një bashkëpunim nga të dyja anët. Po ashtu Kosova kishte vepruar siç kishte premtuar duke rritur personelin në pikat përkatëse kufitare duke mundësuar që në mënyrë të qetë votuesit të shkojnë të votojnë atje”, ka shkruar ambasadori gjerman.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës në mëngjes ka njoftuar se situata është e qetë dhe stabile në aspektin e sigurisë.

Sipas njoftimit të policisë, referuar mbajtjes së zgjedhjeve në Serbi dhe organizimeve të qytetarëve për të udhëtuar në forma të ndryshme drejt Serbisë për të votuar, në disa pika kufitare që lidhin Republikën e Kosovës me Serbinë, janë krijuar kolona dhe pritje.

“Pritjet janë shkaktuar në dalje nga Kosova drejt Serbisë në dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak, si pasojë e qarkullimit të shtuar të automjeteve në këto dy pika kufitare, si pasojë e punës së ngadalësuar nga autoritet serbe duke aplikuar hyrjen vetëm me një korsi si dhe aplikimit të procedurave të stikersave”, u tha në njoftimin e policisë

Të ngjashme