“Në qytet pa makinën time” është motoja e ditës ndërkombëtare pa makina 22 shtatorit. Për realizimin e këtij aktiviteti u bllokuan rrugët “Garibaldi” dhe “George Bush”.
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Albena Rashitaj, hapi këtë aktivitet. Ajo u zotua se do të punoj në përmirësimin e gjendjes së ambientit në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
“Një qytet me ajër të pastër do të thotë një jetë e shëndetshme. Transporti rrugor një ndër faktorët më të mëdhenj të ndotjes së ajrit. Ajri i ndotur pi mbetet një nga sfidat më të mëdha në mbarë globin e sidomos në vendin tonë. Unë zotohem se do të përkushtohem maksimalisht në këtë çështje në marrjen e masave konkrete për parandalimin e ndotjes. Ne si ministri në bashkërendim me institucionet tjera do të iniciojmë ndërtimin e infrastrukturës për të kontribuar në një jetë më të shëndetshme të qytetarëve në përgjithësi”, tha ajo.
Ndërsa Luan Hasanaj nga organizata “Lets do it Kosova”, iu bëri thirrje qytetarëve që ti shfrytëzojnë sa më pak makinat.
Ai poashtu kërkoi nga institucionet që të punojnë në realizimin e kushteve për këtë.
Ky aktivitet u organizua nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në organizim të përbashkët me Komunën e Prishtinës, Prizrenit, Gjakovës dhe Pejës, OJQ-të mjedisore “Lets do it Kosova”, “REC”, “Earth in Brackets”, “The WAY”, dhe Shoqata e Çiklistëve të Kosovës.