Në Ditën Ndërkombëtare të Postës shpërblehen tre punëtorë

Prishtinë | 09 Tet 2017 | 15:27 | Nga

Ndërmarrja Publike Posta Kosovës  ka shënuar të hënën Ditën Ndërkombëtare të Postës, përmes aktiviteteve të ndryshme.

Dita Ndërkombëtare e Postës shënohet për çdo vit, më 9 tetor, në të gjitha shtetet e botës. Në këtë datë, në vitin 1874 është themeluar Unioni Postar Universal (UPU), agjenci e Kombeve të Bashkuara, që përbëhet nga 192 shtete anëtare.

Në këtë përvjetor, kryeshefi ekzekutiv Sejdi Hoxha ka ndarë mirënjohje për tre punëtorë të dalluar në punë: Leonora Hasanin, kontrollore në zyrën postare nr. 23 në regjionin e Prishtinës, Gëzim Bajraktarin, përgjegjës i zyrës postare nr.8 në Pejë dhe Hetem Mehmetin, kontrollor i zyrës postare në Ferizaj.

Kryeshefi i Postës ka falënderuar ata për angazhimin dhe përkushtimin e tyre në shërbim të qytetarëve.

“Ka mjaft punëtorë të Postës që meritojnë të shpërblehen për kontributin e tyre por kësaj here ju jeni zgjedhur për shkak të performancës së lartë për ç’gjë edhe ju falënderoj”, ka thënë Hoxha.

Posta e Kosovës ende nuk është anëtare e UPU-së, për shkaqe politike, sepse ndër kriteret për anëtarësim është që Kosova të jetë anëtare e OKB-së. Përndryshe, Posta e Kosovës është e gatshme në çdo aspekt të anëtarësohet në këtë organizatë.
Posta e Kosovës kërkon që të bëhet anëtare me të drejta të plota në UPU.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme