Obeziteti, njëri nga faktorët e paraqitjes së diabetit

Prishtinë | 14 Nën 2017 | 08:56 | Nga

Venera Berisha-Muharremi interniste-endokrinologe, me rastin e “Ditës botërore të diabetit”, ka folur për simptomat dhe trajtimin e kësaj sëmundje.

Berisha-Muharremi, sqaroi se simptomat e para të diabetit janë para se gjithash etja dhe urinimi i shpeshtë, por edhe apetiti i shtuar për ushqim, por ka edhe simptoma të tjera, si dhe raste kur i prekuri nga diabeti nuk vëren këto simptoma.

“Ka raste kur njerëzit me vite të tëra nuk vërejnë se vuajnë nga diabeti dhe lajmërohen te mjeku vetëm kur paraqiten komplikime të tjera në shëndet”, tha ajo.

Berisha-Muharremi, foli edhe për diabetin gestacional (DG), i cili paraqitet te gratë shtatzëna, por ky lloj diabeti ka vlera më të vogla.

“Diabeti gestacional diagnostifikohet shumë lehtë, me një test dhe ky test duhet të bëhet patjetër gjatë shtatzënisë, pra është e obliguar të bëhet prej javës 24 deri në javën 28 të shtatzënisë”, tha ajo në RTK.

Sipas saj, faktorët e rrezikut për diabet gestacional janë: mosha mbi 25 vjeç, mbipesha apo obeziteti, histori familjare për diabet, DG në shtatzënitë e mëparshme, probleme obstetrikale në shtatëzanitë e mëparshme, fëmijë të lindur me peshë mbi 4000 gr, vlera të glicemisë mbi normë para shtatzënisë.

Shumica e të prekurve nga kjo sëmundje, sipas saj, vuajnë nga diabeti i tipt 2, por një numër i madh i të prekurve është si pasojë e obezitetit.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, Ministria e Shëndetësisë, Shoqata e Endokrinologve dhe Diabetologve të Kosovës dhe në mbështetje të “AQH” sot do të shënojnë Ditën Botërore të Diabetit në të gjitha qendrat Rajonale të Kosovës: Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj, Gjilan dhe Mitrovicë.

Për këtë qëllim do të ketë aktivitete të shumta duke filluar me mbajtjen e Konferencës për shtyp, mesazhet në radio, e gjerë tek manifestimet në rrugë ku do të bëhet shpërndarja e materialeve edukativo shëndetësore për kalimtarët e rastit do të matet sasia e sheqerit në gjak.

Të ngjashme