Katër skuadrat që synojnë titullin, e që kanë mbetur një hap prapa liderëve, takohen të shtunën në dy derbit e xhiros së 15-të të Ipko Superligës së Kosovës në futboll. Në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas luajnë Feronikeli e Drita, ndërsa në “Zahir Pajaziti” në Podujevë, Llapi e Prishtina. Të dy takimet nisin në orën 13:00.
Në tabelë prijnë Gjilani e Ballkani me nga 30 pikë. Drita është e treta me 27 pikë, ndërsa pasojnë Prishtina e Llapi me nga 24 pikë. Kampioni aktual, Feronikeli, është i gjashti me 22 pikë. Janë këto gjashtë skuadrat që vlerësohen ende pjesë e garës për titull të kampionit, ndërkohë që kampionati po i afrohet gjysmës së tij. Ndeshjet e së shtunës vlerësohen me shumë peshë për të katër skuadrat e përfshira, shkruan sot Koha Ditore.
Kampioni aktual, Feronikeli, ka ndërruar trajnerin së fundi, ndërsa e pret Dritën e Gjilanit, i trimëruar nga fitorja në mesjavë. Feronikeli fitoi 3:2 në udhëtim ndaj Prishtinës. Ndërkohë Drita me shumë vështirësi fitoi ndaj Dukagjinit (1:0).
Me ardhjen e trajnerit Agim Sopi, te Feronikeli kanë vendosur që të mos deklarohen për media.